Zyrtari i Hamasit: Prisnim më shumë nga Hezbollahu e Autoriteti Palestinez


Anëtari i lartë i Hamasit Musa Abu Marzouk e quajti “të turpshëm” pozicionin e Autoritetit Palestinez me seliq në Ramallah në mes të bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

“Ne prisnim shumë nga Hezbollahu dhe vëllezërit tanë në Bregun Perëndimor, por jemi të tmerruar nga qëndrimi i turpshëm i vëllezërve tanë në Autoritetin Palestinez”, tha Abu Marzouk në një intervistë për televizionin Al Jazeera.

Udhëheqësi i Hamasit tha se shumë “të huaj” i thanë atij se disa anëtarë të Autoritetit Palestinez dhe disa vende arabe “po i bënin thirrje fshehurazi Perëndimit për të eliminuar Hamasin”.

Konflikti në Gaza filloi më 7 tetor kur Hamasi nisi Operacionin Tufani i Al-Aksa-së – një sulm i befasishëm i shumanshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin në xhaminë Al-Aksa dhe dhunën e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve. Ushtria izraelite më pas filloi një bombardim të pamëshirshëm të Rripit të Gazës.

Sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori kanë vrarë 8.005 palestinezë, njoftoi të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar palestineze.

Ministria deklaroi se në mesin e të vrarëve ishin 3,342 fëmijë, 2.062 gra dhe 460 të moshuar.

Rreth 2,3 milionë banorë të Gazës po luftojnë me mungesën e ushqimit, ujit dhe ilaçeve për shkak të bombardimeve masive ajrore izraelite dhe një bllokadë të plotë të enklavës.

Baby Boo