Zv.Kryeministri Osmani flet për rëndësinë e referendumit në Maqedoni (VIDEO)


Zëvendës-kryeministri në qeverinë e Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se qytetarët e Maqedonisë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e referendumit të pritshëm që ia hap perspektivat Maqedonisë drejt familjes Euro-atlantike. Ai flet për reformat që kërkon BE-ja para fillimit të negociatave, për ndikimin rus, për reflektimin e mundshëm ndaj Maqedonisë të debatit për ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë. Me zotin Osmani bisedoi korrespondenti ynë në Shkup, Isak Ramadani.

Zëri i Amerikës: Z. Osmani, fushata për referendumin tashmë ka filluar në realitet… Ju si qeveri keni pritje pozitive për rezultatin. Ku i mbështetni këto shpresa?

Bujar Osmani: I mbështes në faktin se situata është paksa bardh e zi: Këtu është vendimi për të ardhmen e vendit, për stabilitet, për paqe, për zhvillim ekonomik dhe nga ana tjetër për një status quo që sigurisht çon në destabilizim dhe paperspektivë të vendit. Mendoj se qytetarët e kanë shumë të qartë se çfarë duhet të zgjedhin më 30 shtator. Ajo që ne bëjmë gjatë kësaj fushate është t’i informojmë ata me përmbajtjen e Marrëveshjes (me Greqinë), por edhe për pasojat nga epilogu pozitiv ose negativ i referendumit. Mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm se do të përcaktohet fati i shtetit, i stabilitetit dhe i gjeneratave të ardhshme dhe jam i sigurt se secili kur do të vendosë për fatin e fëmijëvë të vetë do të vendosë që vendin ta bëjë më stabil, ta çojë në familjen Veriatlantike; kështu që nuk kam dilemë në përcaktimin e qytetarëve për të ardhmen e këtij shteti.

Zëri i Amerikës: Sa mund të ndikojë opozita maqedonase në bojkotimin e referendumit? Dhe çka ndodh në rast se rezultati nuk del i favorshëm?

Bujar Osmani: Opozita deri më tash nuk është prononcuar se do ta bojkotojë referendumin. Janë disa lëvizje ose shoqata joqeveritare që thërasin në bojkot. Unë mendoj se ato janë të sponsorizuara nga qendra të jashtme, të cilat duan që ky proces të dështojë. Edhe pse unë kam dilema dhe e kam shprehur këtë dilemë se bojkoti, në një mënyrë është edhe miratim. Tek njerëzit kjo mund të interpretohet ndryshe. Parlamenti veçmë ka ratifikuar marrëveshjen me Greqinë (për ndryshimin e emrit të Maqedonisë). E vetmja mënyrë për ta anuluar këtë marrëveshje është që shumica e qytetarëve të dalë dhe të votojë kundër; ndërsa bojkoti do të thotë se ju e aprovoni marrëveshjen e ratifikuar dy herë në seancë plenare. Po dëgjoj se paska tre grupe: një kundër, tjetri pro dhe i treti për bojkot. Unë mendoj se situata është bardh e zi: ata të cilët janë për Maqedoninë stabile, anëtare në NATO dhe BE dhe ata të cilët janë për një Maqedoni pa perspektivë dhe me shumë të panjohura në vitet që vijnë. Andaj, mendoj se opozita do të reflektojë dhe do të jetë konstruktive e kësaj pjese të historisë së vendit.

Zëri i Amerikës: Por, nëse rezultati nuk del 50 përqind, plus një votë në favor, në atë rast si do të veprohet?

Bujar Osmani: Nëse dalja nuk do të jetë 50 % plus 1, referendumi është konsultativ, kjo nënkupton që qytetarët ia delegojnë parlamentit mundësinë për të marrë vendime më tutje. E vetmja mënyrë për të penguar këtë marrëveshje është dalja më tepër kundër, por mendoj se kjo nuk do të ndodh për shkak se jemi të gjithë të bindur në vullnetin e qytetarëve që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht. Prandaj nuk kam dilemë në suksesin e referendumit, ndoshta jo në dalje se sa në faktin se shumica absolute e atyre të cilët do të dalin për të votuar do të jenë për Maqedoninë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ka pasur përpjekje për shtrirjen e interesave ruse në Maqedoni. A ekziston rreziku për një ndikim të tillë edhe në çështjen e referendumit?

Bujar Osmani: Unë mendoj se po. Rusia publikisht ka deklaruar se është kundër antarësimit të Maqedonisë në NATO dhe ne e dimë se ky proces, ky referendum është hapi i fundit para antarësimit të Maqedonisë në NATO. Dhe ata do të bëjnë gjithçka që është në mundësinë e tyre për ta penguar këtë proces dhe për ta shtrirë ndikimin këtu; po e bëjnë edhe tani dhe jo rastësisht thashë se disa lëvizje që janë për bojkot nuk janë spontane dhe janë të nxitura, mirëpo qytetarët e kanë të qartë këtë ndikim dhe tentim për ndikim. Prandaj ata, veçanërisht shqiptarët, por edhe të tjerët, edhe maqedonasit do t’i kundërpërgjigjen në mënyrë masive tentimit për ndikim rus në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: Në lidhje me debatet për kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë, a ka shqetësime në qeverinë e Maqedonisë… a është diskutuar kjo çështje në çfarëdo mënyrë qoftë ajo?

Bujar Osmani: Nëse ky proces nënkupton përmbylljen e demarkacionit të kufijve të shtetit të ri të Kosovës, ai proces ka filluar me Maqedoninë, është përfunduar në vitin 2001 me sukses, pastaj përfundoi vitin e kaluar në mënyrë pak më të vështirë me Malin e Zi. Dhe të gjithë e dimë se me Serbinë demarkacioni do të jetë më i vështirë se me cilindo shtet fqinj të Kosovës. Ne kemi diskutuar normalisht edhe për debatin por edhe për pasojat e mundshme të atij debati. Unë do të them qëndrimin tim personal: përderisa është në nivel të debatit, në nivel të kreativitetit të politikbërësve për një zgjidhje hipotetike të një kontesti shekullor midis dy popujve, nuk mendoj që debati duhet të kufizohet. Kufizimi e ngulfatë kreativitetin. Mirëpo, derisa është në nivel të debatit dhe ideve për një përmbyllje. Sidoqoftë, mendoj se dy shtetet kanë përfaqësuesit e tyre politik dhe duhet të gjejnë një zgjidhje për ta mbyllur këtë çështje, e cila do ta lirojë gjithë Ballkanin në rrugëtimin e vetë drejt BE-së. Natyrisht, ne si shtet i shohim edhe pasojat eventuale të ideve të tilla këtu, prandaj për ne referendumi bëhet edhe më tepër i rëndësishëm që të mbyllet me sukses në mënyrë që Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s, që në një mënyrë të ruhet stabiliteti jo vetëm këtu por ai stabilitet të reflektojë edhe në rajon, kurse debatet përderisa janë paqësore dhe në kuadër të institucioneve mendoj që nuk duhet të kufizohen.

Zëri i Amerikës: Sa i përket procesit të pritshëm të bisedimeve me BE-në, si po shkojnë përgatitjet?

Bujar Osmani: Tash mund të flas edhe në cilësinë si negociator kryesor politik për Maqedoninë me BE-në. Ne kemi lansuar skriningun (vlerësimin nga BE-ja të legjislacionit të Maqedonisë); nga Këshilli Evropian kemi marrë kornizën e qartë për fillimin e bisedimeve në qershor, 2019. Deri atëherë do të kalojmë në një proces në të cilin kanë kaluar të gjitha shtetet e tjera kandidate. Duhet të bëhet një prerje se deri ku është Maqedonia për momentin në transponimin e legjislacionit të BE-së dhe çfarë duhet bërë gjatë këtyre negociatave. Më 21 shtator do të kemi një delegacion të BE-së për të na prezantuar qasjen dhe në tetor vetëm bëjmë skriningun e dy kapitujve të parë. Kemi përgatitur strukturën negociuese. Ne jemi gati; institucionet po përgatiten dhe e presim me vullnet të madh dhe entuziazëm këtë proces, i cili në qershor 2019 nënkupton fillimin formal të negociatave me Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Reformat në sistemin gjyqësor mes tjerash, janë kushti kryesor për hapjen e negociatave me BE-në. Kjo është padyshim një çështje e vështirë. A kanë kapacitetin e duhur institucionet për realizimin e këtyre reformave në afatin e paraparë?

Bujar Osmani: Ne këtë debat po e bëjmë edhe brenda, edhe me komunitetin ndërkombëtar. Maqedonia në muajt në vijim, deri në qershor do të duhet të zbatojë tre procese paralele: nën 1 është zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë, që nënkupton referendumin dhe ndryshimet kushtetuese, nën 2: skriningu dhe përgatitja dhe nën 3: zbatimi i reformave urgjente prioritare. Që nënkupton reforma në gjyqësor, në administratë publike dhe në shërbimet e inteligjencës. D.m.th. se ne nuk kemi mundësi për alibi për shkak se kemi referendumin ose për shkak të ndryshimeve kushtetuese që të kemi ngecje në reformat në gjyqësor. Mirëpo, unë kam qenë i sinqertë edhe me komunitetin ndërkombëtar se do të jetë vëshirë në këtë periudhë të përqendrohemi në ligje të reja sepse parlamenti do të jetë i zënë me ndryshimet kushtetuese dhe referendumin. Ajo për çka unë këmbëngul dhe dua të përqendrohem në muajt në vijim është në fakt zbatimi real i asaj që tashmë kemi miratuar si ligje gjatë periudhës së zbatimit të Planit 3-6-9. Ne na duhen rezultate konkrete, si do të bëhet përzgjedhja e gjykatësve në Këshillin Gjyqësor, a ka ndikim të politikës, si janë parametrat e korrupsionit dhe luftës kundër tij edhe në nivelet më të larta politike. A funksionojnë shërbimet e inteligjencës jashtë kontrollit të politikës dhe si po futet në funksion Agjencia e re për përgjime, që është jashtë MPB-së, dhe natyrisht, a funksionon administrata publike jashtë ndikimit të politikës. Nuk pres që procesi të rrumbullakohet këtë vit, por do të këmbëngul që këtë vit të përqendrohemi në zbatimin dhe jo në legjislacionin e ri që do të jetë vetëm vazhdimësi e asaj që kemi bërë me Planin 3-6-9.

Zëri i Amerikës: A janë përfundimtare qëndrimet e autoriteteve qeveritare në lidhje me kërkesat e opozitës për amnistinë e personave të përfshirë në dhunën e 27 prillit, 2017 në parlament?

Bujar Osmani: Nuk ka hapësirë për bisedime për sa i takon 27 prillit, madje edhe opozita në mbledhjen e fundit të drejtuesve politikë ka tërhequr kërkesën për amnisti. Proceset gjyqsore po zhvillohen dhe ato duhet të jenë jashtë çfarëdo ndikimi të politikës ditore.

Zëri i Amerikës: Një çështje tjetër është ajo e korrupsionit të lartë në gjykata, sipas raporteve ndërkombëtare… Deri tash nuk ka pasur arrestime, akuza dhe dënime të “peshqve të mëdhenj”!

Bujar Osmani: Ky proces nuk duhet të jetë në funksion të politikës ditore dhe trysnisë mediatike. Por në funksion të verifikimit të fakteve në një proces të pavarur gjyqësor. Dhe procese të tilla po zhvillohen aktualisht në mënyrë paralele në më shumë raste, përfshi këtu edhe ish-kryeministrin e Maqedonisë dhe funksionarë të lartë politikë. Mirëpo, institucionet gjyqësore nuk duhet të jenë nën trysninë e opinionit publik për rezultate të menjëhershme, sepse procesi duhet të jetë tërësisht i pavarur, duhet të mbështetet në vërtetimin e fakteve dhe duhet të jetë jashtë ndikimit të politikës ditore. Prandaj, theksova se në këtë periudhë ne para Bashkimit Evropian do të prezantojmë rezultate konkrete nga lufta jonë kundër korrupsionit përfshirë nisjen e konfiskimit të pasurisë, që ndodh për herë të parë pas shumë vitesh ngecje në këtë proces, si bazë ligjore e krijuam me Planin 3-6-9 dhe veçmë ka filluar procesi i rikthimit të pasurisë së fituar në mënyrë joligjore. Proceset gjyqësore po zhvillohen me dinamikë intensive edhe gjatë kësaj kohe, mirëpo ne nuk duhet t’i bëjmë trysni askujt për rezultate sa më të shpejta.

Zëri i Amerikës: Të dhënat nuk janë shumë të qarta në lidhje me planet për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në kufi me Kosovën, që është një gjatësi prej rreth 13km. Në çfarë faze janë këto plane?

Bujar Osmani: Jam bashkërendues i qeverisë për realizimin e kësaj autostrade dhe e udhëheq ekipin që bën përgatitjet. Bëhet fjalë për një autostradë prej 12.4 km, e cila sipas projektit të parë përfshin katër tunele dhe nëntë ura për shkak të vështirësive gjeografike dhe terrenit jo të lehtë për ndërtim që e rrit koston dhe e komplikon procesin e ndërtimit. Pothuaj se në çdo seancë të qeverisë është kjo temë, është futur si përparësia numër një për shkak të leverdisë ekonomike, duke marrë parasysh se Kosova është tregu më i përafërt, më i përshtatshëm, më i madh dhe më i mirë për Maqedoninë për eksport dhe kjo autostradë nuk bëhet për interesa të politikës, por të ekonomisë së vendit. Ajo çfarë po definojmë në ditët në vijim ndoshta edhe gjatë fundjavës është burimi i financimit. Unë si bashkërendues po këmbëngul që të jetë nga mjetet buxhetore vetëm për shkak të dinamikës më të shpejtë të realizimit dhe këtë debat po e bëjmë me ministrinë e Financave se a duhet këto mjete t’i sigurojmë nga Banka Evropiane, bankat vendore apo nga buxheti.

Zëri i Amerikës: A ka mosmarrëveshje midis ministrive?

Bujar Osmani: Nuk ka mosmarrëveshje, por në fakt ka debat të argumentuar se cili variant është më i përshtatshëm për ndërtimin e kësaj autostrade, mirëpo nuk ka më dilemë. Më parë ishte paraparë për rrugë ‘ekspres’, që nuk është me katër korsi, por e ndryshuam këtë vendim dhe do të jetë autostradë ashtu siç është në anën e Kosovës. Projekti po përfundon për shkak se po punohet në mënyrë intensive dhe nuk kemi hendeqe në realizimin e projektit, ndërkaq vendimin politik, debatin ndërmjet meje dhe ministrisë së Financave për burimin e financimit mendoj se do ta rrumbullakojmë këto ditë. Nuk ka dilema as në ministrinë e Financave se duhet të ndërtohet sa më shpejtë mirëpo ka argumente të ndryshme se çka është më e përshtatshme: të merret kredi apo të financohet nga buxheti.

Zëri i Amerikës: Cilat do të jenë prioritetet nga mbledhja e përbashkët që pritet midis qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë?

Bujar Osmani: Edhe për këtë unë jam bashkërendues i qeverisë së Maqedonisë dhe bashkë me z. Enver Hoxhaj si bashkërendues i palës kosovare kemi bërë disa takime. Grupet e punës tashmë kanë përcaktuar temat e përbashkëta. Janë dhjetra marrëveshje që do të nënshkruhen në këtë mbledhje. Para dy ditësh në qeveri e miratuam marrëveshjen për njohjen reciproke të patent shoferëve dhe është një nga marrëveshjet të cilat do të rrumbullakohen në mbledhjen e përbashkët të qeverive. Tash kontekstet e brendshme politike, referendumi ndoshta do të na detyrojë që këtë takim ta mbajmë menjëherë pas referendumit, ndërsa unë kam njoftuar qeverinë se jam i gatshëm dhe ekipi që ka punuar me institucionet e Maqedonisë për takimin e përbashkët; mendoj që edhe pala e Kosovës është e gatshme, ndërsa mbetet që dy kryeministrat të caktojnë datën kur do të mbahet ky takim. Ne detyrat tona i kemi përfunduar dhe jemi të gatshëm që edhe nesër ta mbajmë mbledhjen e përbashkët, por për shkak se nga e diela ne hyjmë në fushatë, do të duhet të shtyhet pas referendumit

 

https://av.voanews.com/Videoroot/Pangeavideo/2018/08/5/5e/5eaa7680-62e1-4aa7-991b-5179420aa5d5_manifest.mpd

Baby Boo