Zjarr aktiv në fshatin Sellcë, zjarrfikësit e kanë të pamundur të intervenojnë (FOTO)


Tash disa orë fshatin Sellcë afër Komunës së Tetovës e ka kapluar një zjarr i cili vazhdimisht po përhapet, kështu na informojnë fshatarët e këtij fshati. Nga Njësia Territoriale kundër Zjarrit në Tetovë thanë që e kanë të pamundur të intervenojnë momentalisht, për shkak se zjarri gjendet shumë lartë, shkruan Portalb.mk.

Një nga banorët e fshatit Sellcë gazetarit të Portalb.mk i tha që ky zjarr vazhdimisht po përhapet, ai tha se ka informuar edhe Njësinë Territoriale kundër Zjarrit në Tetovë.

“Zjarri është ende aktiv dhe vazhdimisht po përhapet, tash ka një orë që rastin e paraqita te Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë por të njëjtit ende nuk kanë janë këtu, shpresoj që sa më shpejtë ky zjarr të lokalizohet për shkak se aktualisht ai vazhdimisht po zgjerohet” tha një nga fshatarët e fshatit Sellcë.

Nga Njësia Territoriale kundër Zjarrit në Tetovë na informuan që ekipet e tyre aktualisht e kanë të pamundur të intervenojnë për shkak se zjarri gjendet shumë lartë.

“Ne jemi të informuar për zjarrin, të njëjtin edhe e shohim nga qyteti mirëpo fatkeqësisht ai ndodhet shumë lartë, mbi fshatin Sellcë. Momentalisht e kemi të pamundur të intervenojmë sepse nuk kemi qasje, këmba e njeriut atje nuk mund të shkel. Do të presim që brenda natës intensiteti i zjarrit të bije, ndoshta edhe do të lokalizohet vetë, rrezik nuk ka” theksoi Uka Aliti nga “Zjarrfikësit Tetovë”.

Aliti tha se ky zjarr është i qëllimshëm për shkak të vjedhjes së drurëve, ai shtoi se një numër i madh i qytetarëve të cilët kanë shtëpi në këto fshatra, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme janë kthyer në këto fshatra dhe shkaktojnë probleme të kësaj natyre.

“Zjarri është i qëllimshëm, madje ai në një moment u ndal dhe më pas u ndez qëllimisht përsëri. Kjo bëhet nga ata që vjedhin dru, shumë qytetarë të cilët kanë migruar nga fshati në qytet, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, gjegjësisht orës policore këto ditë janë kthyer në fshat dhe shkaktojnë probleme të kësaj natyre. Ky nuk është zjarri i parë i këtij lloji” shtoi Aliti nga “Zjarrfikësit Tetovë”.

Ndryshe, meqenëse aktualisht është e pamundur nga ekipet e zjarrfikësve në Tetovë të intervenojnë në lokalizimin e këtij zjarri, në qoftë se situata nuk përmirësohet do të ndërmerren masa tjera alternative për lokalizimin e zjarrit.Portalb.mk

Baby Boo