Ziberi: Besoj në mbështetjen e mijëra qytetarëve


Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidati i BDI-së për Kryeministër të parë Naser Ziberi deklaroi se beson në mbështetjen e qytetarëve.

“Kryeministri i parë shqiptar është shumë më tepër sesa një simbol i barazisë, kjo pozitë është një mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve: Të të gjithë qytetarëve – shqiptarë, maqedonas, turq, boshnjakë, vllehë, serbë dhe romë. Është një mjet për të punuar për një jetë më të mirë për njerëzit, për secilin nga ne. Është një mjet për drejtësi të barabartë dhe përfaqësim të barabartë. Është një mjet për më shumë punë dhe paga më të mira. Për
një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të mirë; tha Ziberi.

Premtoi se në 100 ditët e para do ta rrisë pagën minimale të infermiereve, mësimdhënësve dhe edukatoreve në 600 euro.

“Do të propozoj pensione sociale për të gjitha gratë që nuk kanë të drejtë për pension pune, do të zbatojmë një politikë me taksë zero për qytetarët nën 35 vjeç nëse fillojnë punën e tyre të parë ose
krijojnë biznesin e tyre të parë, do të japim kredi shtetërore prej 20.000 euro për familjet e reja që të blejnë shtëpinë e tyre të parë dhe 20.000 euro grante shtetërore për fermerët e rinj” theksoi Ziberi.

Paralajmëroi veting për anëtarët e Kabinetit të tij, si dhe për të gjithë politikanët, gjykatësit, prokurorët dhe nëpunësit shtetërorë.

Në fjalim, Ziberi theksoi se si kryeministër do të duhet të formojë koalicion, por, siç tha, nën kushte të cilat janë më se të qarta.

“Përveç zbatimit të programit tim, ekzistojnë tre vija të kuqe: Marrëveshjet e Ohrit, Prespës dhe ajo me Bullgarinë. Nuk ka asnjë hap prapa, vetëm përpara
drejt barazisë së plotë dhe integrimit evropian”, tha Ziberi.

Baby Boo