Zhdukja e pilotit Sinan Vitija, familja kërkon ndihmë

Familja e pilotit të ish ushtrisë Jugosllave, Sinan Vitija kërkon nga Qeveria e Maqedonisë të shpalosë të vërtetën për fatin e tij. Piloti Vitija i cili pas shpërbërjes së Jugosllavisë i ishte bashkuar ushtrisë Kroate, sipas familjes, për herë të fundit është parë në aeroportin e Shkupit. Bashkëshortja e tij, Sevdije Vitija thekson se burri i saj është kidnapuar pasi ka ateruar në Shkup, njofton Alsat M.

Baby Boo

“Me bashkëshortin tim kam kontaktuar më 27 nëntor 1993. Më 28 nëntor të atij viti e ka festuar ditën e flamurit në Shtutgard të Gjermanisë. Po atë ditë, nga relacioni Shtutgard-Shkup në ora 20.30 është kidnapuar në aeroportin e Shkupit”, thotë Sevdije Vitija, bashkëshortja e Sinan Vitijës.

Nga Qeveria e Maqedonisë, familja Vitija kërkon të di ku ka përfunduar familjari i tyre.

“E lus Qeverinë e Maqedonisë që të ma thonë të vërtetën për bashkëshortin tim. Mbetëm duke pritur 25 vjet dhe nuk dimë asgjë. Qëllimi pse sot po flas është që të kërkojmë diçka për të zbardhur fatin e tij. Nuk jam dot e qetë as unë as fëmijët. Duam ta dimë të vërtetën. U bë gjatë kohë dhe besoj është koha e fundit për një përgjigje të Qeverisë”, apelon Sevdije Vitija.

Nga Qeveria thonë se kanë njoftuar ministrinë e Brendshme për kërkesën e familjarëve. Kërkesa e familjes u adresua edhe në Kuvend, përmes deputetit të Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli i cili kërkoi nga ministri i Brendshëm të shqyrtoj rastin.

“Mendoj se është obligim dhe detyrim i organeve shtetërore që këtë rast ta zbardhin. Aq më tepër, kur në atë kohë LSDM ka qenë në pushtet dhe tani meqë është në pushtet besoj se ka një përgjegjësi më të madhe që kësaj dileme t’i jap një përgjigje. Si ka vepruar Maqedonia me atë person? Është zhdukur në Maqedoni apo i është dorëzuar Serbisë”,  deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

I pari i dikasterit të Brendshëm, Oliver Spasovki shpjegoi se për këtë rast janë njoftuar shërbimet relevante dhe se po punohet në sigurimin e dëshmive të mundshme që ekzistojnë në arkivat e organeve të sigurisë.

Restorant Lumare