Zgjedhjet më 5 korrik, reagojnë nga KSHZ


Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Oliver Derkosvski vlerëson se dekreti i Qeverisë për zgjedhje më 5 korrik shkatërron sistemin juridik.

Ai mendon se me këtë dekret, ekzekutivi ka shpejtuar me qëllim caktimin e datës për zgjedhje pa bërë shqyrtim publik dhe azhurnim të listës zgjedhore. Kjo sipas Dekorvskit madje është shkelje e Kodit Zgjedhor. Megjithatë Derkovski nuk paralajmëron pengesa në proces.

“Por mendimi im personal është se, vazhdoj të kem qëndrimin personal që prej sa muajsh se nuk mundet me dekret me fuqi ligjore të përjashtoni përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Kodi zgjedhor qartë e sqaron kush cakton zgjedhje me çfarë akti, dhe qartë sqaron për listat zgjedhore veçanërisht të lidhura me kodin Zgjedhorë, ka metodologji të qartë se si duhet të bëhen këto punë. Në këtë situatë ne të gjithë do të vihemi në situatë që të improvizojmë, në vend që të ndjekim përcaktimet ligjore”, ka deklaruar për Tv SHENJA Oliver Derkovski.

Anëtari i KSHZ-së, Enver Salihi tha për TV21 se institucioni i tyre është i gatshëm për të realizuar procesin zgjedhor.

“KSHZ nuk është organ që sjellë ligje por kujdeset për zbatimin e tyre dhe mbas urdhëresës së parë dhe të dytë zgjedhjet mbahen 22 ditë pas përfundimit të situatës së jashtëzakonshme dhe KSHZ është e gatshme për të realizuar proces zgjedhor pasi që kjo është detyra jonë ligjore,” tha Enver Salihi, anëtar i KSHZ-së.

Dekreti i ri angazhon Ministrin e Brendshme që në afat të një dite të dorëzoje listën e qytetarëve të cilët kanë dorëzuar kërkesë për nxjerrje të dokumenteve personale dhe listën e atyre të cilët mbushin 18 vjet deri ditën e zgjedhjeve ose 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Me të njëjtin vendim, Ministria e Shëndetësisë obligohet që të sigurojë mjetet e nevojshme për mbrojtje e anëtarëve të trupave zgjedhorë,-thuhet në kumtesën e Qeverisë. Sipas kësaj, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe nëse nuk shpallet gjendje e re e jashtëzakonshme, zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik. Nesër pritet të merret vesh nëse do të ketë vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme ose jo.

Baby Boo