Zgjedhjet lokale 2021, KShZ harmonizon afatet me Kodin e ri Zgjedhor


Pasi Kuvendi miratoi një ditë më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, miratoi afatet e rishikuar për zgjedhjet e ardhshme lokale, të harmonizuara me këto ndryshime si dhe obligimet që dalin për pjesëmarrësit në zgjedhje.

“Jo më vonë se deri më 25 shtator në ora 24, të gjithë organet dhe institucionet zyrtare që kanë automjete zyrtare, duhet të dorëzojnë të dhënat deri tek Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, me qëllim që të inspektojnë përdorimin e tyre gjatë zgjedhjeve dhe të parandalojnë abuzimet e mundshme. Për të gjithë radiodifuzerët, mediat e shkruara dhe portalet, të cilat janë regjistruar për reklamim të paguar politik në KShZ, regjistrimet e tyre mbeten dhe për ata që kanë humbur afatin e parë, caktohet një afat i ri prej 17 deri më 19 shtator, përfshirë të dielën deri në mesnatë.”,- deklaroi anëtari i KShZ-së, Boris Kondarko.

KSHZ do të revidojë edhe udhëzimet e tjera në përputhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë lidhje me gjendjen e pandemisë.
“Ka një afat për paraqitjen e personave që janë pozitivë me Covid 19 dhe të atyre në izolim , për të votuar në kushte shtëpiake. Këta njerëz do të votojnë një ditë para raundit të parë, pra 16 tetor dhe 30 tetor nëse ka një raund të dytë.”,- u shpreh anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor mundësojnë votimin edhe për qytetarët të cilëve u ka skaduar afati i letërnjoftimeve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së tyre, pra nga 6 gushti deri më 30 tetor.
Pritet ndërkohë deri në fund të ditës, që në ueb faqen zyrtare të KSHZ-së , të publikohen të dhënat për kandidaturat e verifikuara.

Baby Boo