Zeqirija Ibriahimi nuk e respekton apelin e kryetarit të tij, Afrim Gashit


Java e kaluar ishte vendimtare për koalicionet parazgjedhore të partive shqiptare në Maqedoni të Veriut. Edhe pse opinioni priste një koalicion trepalësh që do ta sfidonte BDI-në, kjo nuk u arrit, por kemi një koalicion vetëm në mes dy subjekteve, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Pas lidhjes së këtij koalicioni, u nxeh edhe debati nëpër rrjetet sociale, ku aktivistët e partive nuk nguronin të ofendonin dhe akuzonin njëri – tjetrin për këtë dështim. I pari që reagoi për këtë fenomen ishte kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, duke u bërë apel aktivistëve të tij për maturi gjatë komenteve në rrjetet sociale. Ky reagim i Gashit u mirëprit shumë mirë nga opinioni.

Reagimi i plotë i Afrim Gashit: “Duke parë se disa nga kundërshtarët tanë nuk zgjedhin fjalë për të na sharë, baltosur e ofenduar dhe duke e ditur se kjo ju lëndon dhe ju shkakton dhimbje, po ju drejtohem duke ju lutur deri në qiell që askush nga ju të mos e prishë zemrën dhe mos ta ndyjë gojën!
Ju lutem shumë, mos lejoni që ato provokime të jenë shkak që edhe ju të shani, të përgojoni e të ofendoni.
Secilit që ju shan kthejani me një buzëqeshje dhe me një fragment nga oferta jonë. Sepse dikush është i uritur edhe për një buzëqeshje e dikush edhe për një informacion për ne”, shkroi Gashi duke u bërë thirrje gjithë bashkëpartiakëve të tij që të mos reagojnë, shajnë e fyejnë njerëzit që mendojnë ndryshe.

Mirëpo, Gashin e “tradhtoi” shoku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Zeqirija Ibrahimi, i cili para disa ditëve ka publikuar një shkrim ku ka përmendur shumë çështje historike duke i lidhur me të ashtuquajturin “Xhemijeti”, që sipas Ibrahimit është orientimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe i myslimanëve tjerë të Ballkanit. Ibrahimi gjatë këtij shkrimi, çështjet nacionale shqiptarë i ka veshur me petkun e fesë islamë, gjë e cila ka hasur në reagime nga shumë personalitete.

Reagimi i parë ishte nga gazetari Arben Ratkoceri, i cili kritikoi ashpër Ibrahimin për mënyrën e qasjes dhe interpretimit, duke ia përmendur edhe disa fakte historike.

“Zeka ua lëviz kockat në dhe Adem Jasharit, Azem Moranës, Sylë Hotlës e Harun Aliut. Po ta merrnin vesh këta heronj, që ofendimi i tyre për së vdekuri, nga Zeqirija Ibrahimi, (frontmen i partisë Alternativa, por edhe punëtor shkencor në ITKSH në Shkup) shkon deri atje sa sakrifica sublime ekskluzive e tyre kombëtare, barazvlerësohet me disa turkoshak të tipit të “Xhemijetit” e të disa anonimusave, kryesisht teolog të mëhallave, që në historinë shqiptare as që permenden, do të lëviznin eshtrat nga varret e tyre”, një pjesë nga reagimi i gazetarit Ratkoceri.

Ndërsa mbrëmë, Ibrahimi ka kërkuar debat me Ratkocerin, për të sqaruar teorinë e tij si të mirëfilltë.

“Meqë kaluan disa ditë dhe debati në lidhje me shkrimin që e pata nuk resht, u bëj thirrje publike debatuesve që kanë qejf të marrin LIKE në FB dhe pak duartrokitje nga rrethi i tyre “intelektual”, që ta zgjedhin TV-në ku të duan ata dhe të debatojmë publikisht. Bile, mund ta ftojnë edhe ndonjë “asistent” të Prishtinës – nëse nuk ndjehen të sigurt. Ose, të shkojmë në Prishtinë. Si ta kenë më mbarë! Unë jam gati dhe nuk kam nevojë për asistencë. Veç bëni zë”, përfundon reagimi i Ibrahimit.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ratkocerit i cili i kërkoi Ibrahimit që të mos e përdortë këtë moment për të përfituar politikisht duke u viktimizuar nën petkun e fesë islame, dhe ka pranuar ofertën për debat, më 13 prill, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Kjo nënkupton që Ibrahimi nuk e ka dëgjuar apelin dhe këshillat e kryetarit të tij, Afrim Gashit, dhe ka vazhduar nxitjen e debatit jo të mirëfilltë që prodhon ofendime dhe gjuhë të urrejtjes nëpër rrjetet sociale.

Baby Boo