Zelensky: “Kemi kërkuar vetëm 1% të avionëve dhe tankeve të NATO-s”


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se ka kërkuar vetëm 1% të avionëve dhe tankeve që ka NATO dhe se prej 31 ditësh janë në pritje të kësaj ndihme.
Në një video-mesazh që postoi, Zelensky iu drejtua NATO-s dhe Rusisë, ku ai përsëriti thirrjen e tij ndaj vendeve perëndimore që t’i dërgojnë Ukrainës armë të rënda për t’u mbrojtur nga Rusia.

“(Për Ukrainën dhe Evropën) Çmimi i ofrimit të kësaj sigurie është shumë i qartë. Avionë, tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Këto janë vetëm municione që po mbledhin pluhur dhe që partnerët tanë i posedojnë”, deklaroi Zelensky.

Ai bëri të ditur se nga NATO kanë kërkuar vetëm 1% të avionëve dhe tankeve që posedon. “Nuk duam më shumë, por këtë po e presim prej 31 ditësh. Pra, kush e udhëheq komunitetin euroatlantik? Mos vallë ende është Moska me rrugën e frikësimit? Partnerët duhet të rrisin ndihmën ndaj Ukrainës. Për këtë kanë nevojë partnerët, sepse kjo është siguria e Evropës”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas vlerësoi takimin që delegacioni i Ukrainës zhvilloi me zyrtarë të lartë amerikanë në Poloni. “Në bisedime u diskutua se për çfarë kemi nevojë aktualisht dhe se si do të dorëzohen avionët dhe mjetet e tjera të mbrojtjes. Ukraina nuk mund të godasë raketat ruse me pushkë ose me automatikë që janë dërguar në sasi të mëdha. Është e pamundur të rimerret Mariupoli pa një numër të mjaftueshëm tankesh dhe mjeteve të tjera të blinduara dhe avionësh”, tha ai.

Duke iu drejtuar edhe ushtarëve rusë, Zelensky tha se asgjë nga ato që kanë bërë në qytetet që kanë pushtuar nuk do të funksionojë.

Ai vuri në dukje se në qytetet në fjalë do të ketë vetëm përbuzje dhe urrejtje ndaj trupave ruse. “Fikja e televizionit tonë dhe në vend të tyre hapja e fushatës së prezantuesve të Moskës, shpërndarja e broshurave propagandistike dhe shpërndarja e rublës e cila së shpejti do të pranohet sipas peshës dhe jo vlerës, të gjitha këto nuk do të funksionojnë”, tha Zelensky./Anadolu Agency (AA)/

Baby Boo