Zelensky i kërkon OKB-së ndihmë për të shpëtuar njerëzit nga Mariupol


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që të ndihmojë në evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal.
Kompleksi ka qenë i rrethuar nga forcat ruse dhe pavarësisht evakuimeve të suksesshme ditët e fundit ka ende civilë dhe ushtarë të bllokuar në fabrikën e çelikut.

“Jetët e njerëzve që mbeten atje janë në rrezik”, ka thënë Zelensky. “Të gjithë janë të rëndësishëm për ne. Ne kërkojmë ndihmën tuaj për t’i shpëtuar ata”. Përpjekja e fundit e suksesshme për evakuimin e civilëve u koordinua nga OKB-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Në orën e fundit, Rusia tha se do të hapte korridore humanitare për të ndihmuar civilët të evakuohen gjatë tre ditëve të ardhshme – por ajo ka thyer premtime të ngjashme më parë.
Ndërkohë në përditësimin e fundit të inteligjencës ushtarake, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se Rusia po vazhdon të godasë objektiva joushtarake.

Këto përfshijnë pronat e banimit, shkollat, spitalet dhe qendrat e transportit.
Ministria e Mbrojtjes tha se kjo tregon “gatishmërinë e Rusisë për të synuar infrastrukturën civile në një përpjekje për të dobësuar vendosmërinë e Ukrainës”.

“Synimi i vazhdueshëm i qyteteve kryesore si Odesa, Kherson dhe Mariupol nxjerr në pah dëshirën e tyre për të kontrolluar plotësisht hyrjen në Detin e Zi, gjë që do t’u mundësonte atyre të kontrollonin linjat detare të komunikimit të Ukrainës, duke ndikuar negativisht në ekonominë e tyre”.

Baby Boo