Zekiri: Të dënohen përgjegjësit e natës së kobshme të 27 prillit


Muhamed Zekiri, deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, para kamerës së Lajm TV ka kujtuar ngjarjen e 27 prillit të vitit të kaluar kur huliganët maqedonas terrorizuan kuvendin e Republikës së Maqedonisë, duke rrezikuar jetërat e deputetëve dhe gazetarëve që gjendeshin po aty.
“Një ngjarje e tmerrshme nga e cila do të mësojnë gjeneratat e ardhshme. Kujtesa është e freskët, tani po bëhet një vjet nga ajo ngjarje e kobshme. Ne na mbetet të punojmë dhe shpresojmë që sa më shpejt drejtësia të vijë ne vend dhe fajtorët që e kanë planifikuar dhe realizuar skenarin e 27 prillit të vitit të kaluar ta marrin dënimin”, tha Zekiri.

Ai shprehet optimist, por jo edhe i kënaqur nga ecuria e procesit për zbardhjen e kësaj ngjarje.
“Unë nuk mund të pajtohem që i dyshuari si më përgjegjës për 27 prillin, Mitko Çavkov, para dy ditëve të lirohet nga paraburgimi. Kjo flet se ende drejtësia në Maqedoni është e robëruar dhe ende nuk funksionin sistemi i drejtësisë ashtu siç duhet funksionuar. Askush nuk mund mua të më bind që dikush që ka pasur pozitë udhëheqëse në MPB ka mundur të fitojë aq shumë lekë në mënyrë të ndershme, që tani t’i jap gjykatës si garanci 1 milion euro që ai të dalë nga paraburgimi. Fillimisht duhet të pyetet nga i ka marr ai ato lekë. E dyta, si mundet me lekë të tilla gjykata të lejoj ai të dalë nga paraburgimi”, deklaroi Zekiri për Lajm TV.
Zekiri zotohet se asnjëherë nuk do të lejojnë të përsëritet një ngjarje e tillë.

“Sa ka ecur përpara Maqedonia këtë e shohin edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, e kemi edhe Raportin e fundit të KE, ku progresi është i dukshëm, prandaj morëm edhe rekomandimin e pakushtëzuar. Ndryshimin më së miri e ndjejnë qytetarët. Tani frymohet lirshëm, nuk është më problem të thuash atë që mendon. E dimë se si ka qenë vite më parë, kur edhe mediat kanë qenë të robëruara, edhe njerëzit kanë pasur kujdes me kë po pinë kafe, duke pasur kujdes se çka po flasin, çfarë po shkruajnë e kështu me radhë… do të thotë evidente janë ndryshimet”, përfundoi Zekiri.

Baby Boo