Ka dy muaj që ka filluar me punë, por masat antikovid që po zbatohen në Kuvend kanë bllokuar përdorimin e gjuhës shqipe.
Kjo sepse deputetët shqiptarë derisa flasin shqip mund t’i dëgjojmë vetëm nëpërmjet televizionit, ndërkaq nga ueb faqja e kanalit të kuvendit deputetët mund t’i dëgjojmë në përkthim.
Për këtë situatë në disa raste, kanë alarmuar nga opozita shqiptare në koordinimet që realizohen mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi. Por, siç tha koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit “Tash është koha”, Skender Rexhepi, përgjigjja e Xhaferit ka qenë: Nuk ka kushte teknike.
“Armatimi politik, diplomatik apo demokratik i yni si deputet, është që të na dëgjojë qytetari në gjuhën që ne e flasim, në mënyrë që ne ua sqarojmë dhe me mesazhet që ne i japim. Nëpërmjet përkthimit nuk arrihet as e para, as e dyta dhe as e treta çështje. Andaj konsideroj, dhe kemi kërkuar disa herë në takimet e koordinimeve, bashkë me kryetarin që të sigurohet një kanal i posaçëm që të gjitha mediat të marrin origjinalin e gjuhës me të cilin flet deputeti. Janë arsyetuar, se nuk ka gatishmëri teknike”, deklaroi Skender Rexhepi – Koordinator i grupit parlamentar “Tash është Koha”.
Por a ka ndonjë plan shumica parlamentare për ta përmirësuar gjendjen e shqipes në Kuvend dhe njëkohësisht të repsketohen protokollet për mbrojtje nga Kovid-19?
Deputetja e LSDM-së, Vançeva premtoi se do të zgjidhet problemi në momentin kur do të emërohen nënkryetarët.
“Unë pres që së shpejti do të arrihet marrëveshje, normalisht sipas Ligjit dhe për nevojat e funksionimit të Kuvendit, se do ta zgjidhim edhe atë problem, se do të zgjidhim edhe nënkryetarin e kuvendit dhe se ai që do të zgjidhet do të shqyrtojë të gjitha, që në mënyrë transparente, objektive dhe do të jetë e qasshme për të gjithë”, u shpreh Snezhana Kaleska – Vançeva – deputete e LSDM-së.
Rexhepi alarmoi se shqipja nuk po zbatohet as kur po u dorëzohen materialet nga propozim ligjet. Rasti i fundit, siç tha, ishte për propozim ligjin për haumarrje.
“Për shembull, unë dje edhe në kuadër të seancës e diskutova dhe nuk dha asnjë përgjigje kryetari i Kuvendit. Ligji për huamarrje të Maqedonisë së Veriut, në gjuhën maqedonase vjen në 12 fletë, ndërkaq neve na e përkthejnë në tre fletë. Do të thotë e përkthejnë kuptimin që edhe në kuadër të nenit 136 nga Rregullorja e punës së Kuvendit, nuk sqarohen pikat që duhet t’i ketë një ligj”, theksoi Skender Rexhepi – Koalicioni “Tash është Koha”.
Për çështjen e transmetimit të seanca plenare në gjuhën maqedonase, kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se, Parlamenti nuk ka studio të veçantë që të mund të sigurojë dy frekuenca të incizimit nga seanca. Përgjigje dha edhe për akuzat se ligjet nuk përkthehen të plota.
“Ka ligje që janë të reja, nuk janë ndryshime. Përkthehet pjesa materiale për atë çfarë rregullon ligji i ri dhe arsyetimet në fund çfarë rregullon ky ligj i ri që miratohet në Parlament. Për këtë çështje, unë nuk pajtohem se Parlamenti neglizhon përdorimin e gjuhës shqipe”, tha Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.
Gazetarët nuk mund të ndjekin as komisionet e Kuvendit, pasi vetëm nga një kamerë lejohet brenda ndërkaq transmetimi i tyre shkon disa orë më vonë në kanalin e Kuvendit, dhe ai poashtu në gjuhën maqedonase.