Zbardhet motivi i vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët


Hetuesit në Durrës, po kalojnë në sitë të imët të gjithë elementët e vrasjes nga fëmijet së Pëllumb Metës në shënavlash, për të zbuluar motivet e vrasjes.

News24 mësoi nga burime konfidenciale se një pistë e fortë është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni.

Pëllumbi kishte rreth 12 dynym tokë. Gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur këto dokumente, të cilat i mbante djali i madh, që i kishte premtuar motrës që me lekët e tokës do ta nxirrte nga burgu.

Për më shumë ndiqni dokumentarin e realizuar nga gazetari Igli Çelmeta.

Pëllumb Meta, me origjinë nga fshati Shemëri i Krujës lindi në Shënavlash të Durrësit, më 8 qershor të vitit 1974, aty ky prindërit e tij Hamid dhe Fatime ishin shpërngulur prej kohësh nga Kruja.

Mes jetës së emigracionit dhe Shqipërisë, Pëllumbi pas vdekjes së nënës së tij vendosi të kthehej përfundimisht në Shqipëri, ku ishte bërë edhe baba i 4 fëmijëve, 2 vajzave dhe 2 djemve.

Familjarët e Pëllumbit, pretendojnë se që prej vdekjes së nënës së tyre nuk kanë pasur komunikim me bashkëshorten e tij, Blerinën, e cila kishte distancuar edhe fëmijët nga familjarët e Pëllumbit, me të cilët prej vitesh nuk flisnin.

Përtej këtij fakti, Pëllumbi nisi t’i përkushtohej familjes në vendlindjen e tij pas kthimit nga Italia. Ai nisi punën si roje në Shënavlash te tregu i makinave, punë që e bëri deri në ditën e fundit të jetës për rreth 23 vite, deri në 10 shkurt të vitit 2024.

10 shkurti i 2024-ës ishte edhe fundi i jetës së Pëllumb Metës, i cili ekzekutohet nga familjarët e tij. Një krim i rëndë i cili tronditi edhe më shumë opinionin publik sesi 4 familjarë, 3 fëmijët dhe nëna u bënë bashkë për të eleminuar kryefamiljarin e tyre dhe e varrosën në kasollen e bagëtive.

Sipas hetuesve, i gjithë plani i këtij krimi horror ishte i parapërgatitur deri në detaje. Por si u zbulua e vërteta dhe si nisi policia hetimet deri në zbardhjen e ketij krimi monstruoz?

Shefi i seksionit te hetimit të krimeve ndaj personit në Policinë e Durrësit, Ruzhdi Domi, i cili ka hetuar rastin që kur mbërriti kallëzimi në polici deri në zbardhjen e ngjarjes, shpjegon se si policia ra në gjurmët e së vërtetës.

Sipas grupit hetimor, fëmijët kishin realizuar të gjithë planin e fshehjes së krimit me detaje, nga largimi i makinës së të ndjerit, varrimi dhe fshehja e armës, të cilën sipas policisë dyshohet se e zotëronte i biri i viktimës, Hyseni.

Ajo që i bëri më shumë përshtypje policisë në këtë krim, ishte edhe qetësia e femijëve dhe bashkëshortes së Pëllumbit pas ngjarjes.

Fëmijët dhe nëna e tyre sipas grupit hetimor, kanë dhënë deklarata kontradiktore për autorësinë e krimit, por në bazë të hetimeve të deritanishme policia deklaron se autor i qitjes së armës është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni, i cili ka bashkëpunuar me motrën Hygertën.

Hetuesit kanë bërë prova në poligon qitje me armë për të provuar nëse Hygerta di të përdorë armën.

Grupi hetimor të gjithë anëtarët e familjes po i heton si pjesëmarrës në krim, edhe pse bashkëshortja e Pëllumbit është poceduar në gjendje të lirë. Vëllai i Pëllumbit, Ramazani hedh akuza ndaj gruas së vëllait të tij.

Nga ana ligjore, policia e ka zbardhur ngjarjen ku kemi 3 anëtarë të familjes të arrestuar dhe një nën hetim, por cili ishte motivi i vërtetë i kësaj ngjarje kaq të rëndë, saqë bëri bashkë të gjithë fëmijët të vrisnin babanë tyre.

Grupi hetimor po heton për motivin e ngjarjes, edhe pse shprehen të rezervuar për shkak të sekretit hetimor. Pista e fejesës së Hygertës se Pëllumbi donte ta fejonte pa dëshirë dhe dhuna në familje apo in*esti, janë përjashtuar nga hetuesit.

Ad
Unmute

Baby Boo