Zbardhet krimi: Si i ekzekutoi Zykaj 8 kushërinjtë


Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “burg pa afat” për 24-vjeçarin Ritvan Zykaj, i akuzuar për tetë vrasje. Përballja e parë me gjykatën dhe heshtja e një vrasësi gjakftohtë. Debati i nisur mes dy grave të fisit që u mbyll me tetë të ekzekutuar.

I heshtur, mjaft i qetë, me disa shenja enjteje nën sy dhe pa asnjë vrasje ndërgjegje për gjëmën që shkaktoi, duke iu marrë jetën tetë kushërinjve të tij, pesë prej të cilëve gra dhe fëmijë. Kjo ishte paraqitja e parë e autorit të krimit makabër Ritvan Zykaj përballë gjykatës. Ndërsa priste të mësonte masën e sigurisë, 24-vjeçari përballë para gazetarëve që e pyetën se përse e kreu krimin, ishte penduar, po fëmijët pse i vrau? Shumë pyetje që mbetën pa përgjigje, pasi i konsideruari si monstra e fshatit Resulaj të Vlorës, nuk preferoi të thoshte asnjë fjalë. Megjithatë kjo nuk e ka penguar institucionin e akuzës që në sallë të risjellë të gjithë skenën e tmerrshme të krimit, por edhe “motivet” e ngjarjes së rëndë që kapërcejnë kufijtë e çmendurisë. Sipas prokurorisë, ditën e krimit nëna e autorit kishte debatuar me një nga viktimat, Vasilika Zykajn. Kjo e fundit i kishte kërkuar llogari nënës së Ritvanit për disa pula që i ishin vjedhur, ndërsa akuzoi dy djemtë e saj për këtë ngjarje. Debati mes grave të të njëjtit fis u mbyll në ato momente, kjo edhe pas ndërhyrjes së gjyshit të autorit që u kishte kërkuar që të mos e vijonin më tej këtë debat, pasi gjithçka do zgjidhej. Secila prej tyre shkoi në banesë, me mendimin se ky debat (deri diku i zakonshëm mes fqinjëve) u mbyll ende pa u agravuar, por “djalli fshihej” aty. Ndërsa ende vijonte debate, Ritvani së bashku me motrën e tij kanë vazhduar rrugën për te shtëpia e Kujtimit (gjyshit të tyre). “Shtetasi Bujar Zykaj dhe Lindita Zykaj pasi kanë diskutuar mosmarrëveshjen me Vasilikën dhe familjarë të tjerë të Vasilikës, i kanë sqaruar se djemtë nuk kishin lidhje me vjedhjen e pulave të detit dhe për momentin mosmarrëveshja është sqaruar qetësisht”-thuhet në dosjen hetimore të prokurorisë. Pas kësaj Bujari me Linditën kanë shkuar te shtëpia e Kujtimit ku do të zhvillohej dreka. Gjatë drekimit familjarisht ku dhe vetë Ritvani ka qenë prezent është diskutuar dhe njëherë rasti i mosmarrëveshjes me Vasilikën dhe Ritvani është shprehur dhe është ankuar se shtetasja Vasilika Zykaj për çdo rast të tillë akuzonte atë me pa të drejtë. Rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja Ritvani është ngritur nga dreka dhe është larguar nga banesa e Kujtimit.

Tmerri i vrasjeve

Largimi i Ritvan Zykajt nga dreka në shtëpinë e gjyshit ishte edhe momenti kur mendja e tij nisi të punojë vetëm për hakmarrje, vrasje e makabritet. Nisën krismat e para dhe në më pak se tre minuta, vrasësi i tmerrshëm 25-vjeçar ekzekutoi tetë pjesëtarë të fisit të tij. Tragjedia u mbyll me vrasjen e Demir Zykaj, Azem Zykaj, Afërdita Zykaj, Besim Zykaj, Vasilika Zykaj, Sara Zykaj (17 vjeç) dhe Ledion Zykaj (6 vjeç). Por tmerri vijon edhe më tej. Në një moment vrasësi i tmerrshëm gjen kohë për të nxjerrë telefonin dhe t’iu bënte një video dy prej viktimave të tij. Plot krenari thotë “E kreva dhe këtë”… Videon ia nis pak më vonë djalit të hallës së tij, por i riu mes tmerrit lajmëron të atin dhe më pas detyrohet ta fshijë videon. Lajmin për krimet e rënda e dhanë vetë banorët e fshatit Resulaj që lajmëruan policinë dhe herë pas herë ndërsa forcat e rendit po vinin drejt Selenicës konfirmuan se kishte tetë të vdekur. Kjo detyroi strukturat lokale që të kërkonin ndihmën e forcave special të RENEA-s dhe FNSH-së, pasi ekzekutori ishte i lirë, i armatosur dhe nga momenti në moment mund të merrte të tjera jetë. La tetë të vrarë dhe u zvarrit për 12 orë mes shkurreve të Resulajt dhe Selenicës, deri në momentin që u arrestua nga efektivët e forcave speciale. Nisur nga veprimet e kryera ekspertët dyshojnë se nuk kemi të bëjmë me një të sëmurë mendor, por një njeri të frustruar me tipare të theksuara kriminale dhe person që kërkon qendrën e vëmendjes me krimet e tij. Kjo e shpjegon edhe faktin që ndërsa ishte në arrati ai futet online në Facebook dhe nis të komentojë krimin, duke fyer miqtë virtualë që e mallkonin për ngjarjen e rëndë. Çuditërisht, menjëherë pas arrestimit në vend të pendesës ai shfaqte krenarinë dhe sfiduesin. Ato pak fjalë që ka thënë para hetuesve ishin: “I vrava sepse më akuzonin se kisha vjedhur, nuk i duroja dot më. Armën e kisha fshehur te kasollja e bagëtive. Por ju policët më kapët shumë vonë”. Me këto “argumente” mendoi se e mbylli këtë kapitull, por ditën e djeshme sapo ka nisur procesi i një gjyqi dhe më pas dënimi.

Nuk ka avokat për “djallin”…

Në Gjykatën e Vlorës ditën e djeshme problem kryesor ishte që asnjë avokat nuk pranonte që të mbronte në proces Ritvan Zykajn. Edhe avokatët kryesisht që caktohen nga shteti nuk pranuan t’i afroheshin kësaj çështjeje. Në një situatë të tillë gjyqi rrezikonte të dështonte, pasi procedura gjyqësore e ka të sanksionuar që në çdo proces penal i pandehuri duhet të mbrohet me avokat. Në fund mësohet se ka qenë vetë kreu i gjykatës që i ka kërkuar një avokati që ta merrte përsipër përfaqësimin e Zykajt në masën e sigurisë, duke ia kërkuar si “nder”, pasi rrezikonte që çështja të merrte tjetër kalvar, për shkak të shkeljes së procedurave. Është gjetur një avokat i cili ka qenë prezent vetëm për shkak të procedurave, pasi mësohet të jetë shprehur se është dakord me çdo masë që do jepej nga ana e gjykatës. Në fund pasi u lexua kërkesa e prokurorisë edhe gjykata vendosi masën e pritshme “arrest me burg pa afat” për akuzën “vrasje në rrethana të tjera cilësuese të dy ose më shumë personave dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Tashmë pritet që çështja të kalojë për hetime më të thelluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë është kërkuar gjithashtu që nga një grup ekspertësh psikiatër të kryhet edhe ekspertiza psikike e të akuzuarit Zykaj. Nga ekzaminimet paraprake ekspertët dyshojnë se nuk kemi të bëjmë me një person të papërgjegjshëm mendërisht, por një individ të veçuar me probleme të personalitetit, por që krimet i ka kryer me gjakftohtësi dhe gjithçka e kishte mirëmenduar.

Baby Boo