Zaevi nesër e merr mandatin për Qeverinë, Presidenti vendos edhe përkundër dilemave juridike


Presidenti Stevo Pendarovski njofton se nesër do t’ia ndajë mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev për formim të Qeverisë.
“Zoran Zaev, në emër të koalicionit “Mundemi”, e cila ka marrë numrin më të madh të mandateve të deputetëve në Kuvend, e ka informuar presidentin Pendarovski për bisedimet me më shumë parti për sigurimin e shumicës së domosdoshme në Kuvend për zgjedhje të Qeverisë”, thonë nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim i Presidentit vjen edhe përkundër dilemave se a mund të ndahet mandati për formim të qeverisë pa e ditur qartë se cila është shumica parlamentare.
Ajo ku bazohet Presidenti Pendarovski është neni 90 i Kushtetutës ku thuhet se Presidenti i Republikës e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.

Por këtu hapet dilema tjetër se kur Parlamenti quhet i konstituuar, me verifikimin e mandateve të deputetëve apo me zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Kryesuesi i seancës konstituive, Talat Xhaferi, dje tha për TV21 se Kuvendi llogaritet i konstituuar atëherë kur është zgjedhur kryetari, pra kur është formuar shumica parlamentare, dhe kështu Presidenti mund ta japë mandatin për qeverinë.

Talat Xhaferi:“Supozojmë që më 14 (gusht) partitë politike do të dalin me deklaratë se kanë shumicë dhe atë ditë do e ndajë mandatin Presidenti…
TV21- Dhe thuhet të njoftojë kryetarin e Kuvendit…
Talat Xhaferi: “Kë do e informojë Presidenti se e ka ndarë mandatin në kontekst të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit?! Kryetarin e Parlamentit i cili nuk ekziston?!”
Nga VMRO-DPMNE janë të qëndrimit se Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht.

“Kryesuesi, z. Xhaferi, menjëherë pas pikës për verifikim të mandateve e ndërpreu seancën konstituive, praktikisht tani siç qëndrojnë punët, ne kemi Kuvend jo plotësisht të konstituuar, pa kryetar të Kuvendit, që është pjesë e marrëveshjes politike. Ashtu ka qenë edhe në të kaluarën, dhe nëse e përmbledhim qëndrimin shkurtimisht, në këtë moment Kuvendi i Maqedonisë nuk është i konstituuar plotësisht”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Kryeparlamentari në largim Xhaferi dje tha se do të ishte veprim antikushtetues nëse Presidenti e ndan mandatin, pa u zgjedhur kryetari i ri. Paralajmëroi po ashtu se ka rrezik që institucionet të hyjnë në krizë kushtetuese-institucionale sepse Presidenti nuk ka kë ta informojë.

Baby Boo