Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje presidentit Ivanov që të nënshkruaj ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, e cila u votua për së dyti sot në Kuvend. Ai ka thënë se procesi ka zgjidhje por, do të ishte mirë që presidenti ta nënshkruaj atë, pavarësisht qëndrimeve të tija rreth kësaj çështje. Zaev deklaroi se duhet të dëshmojnë të gjithë se i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë.
Zoran Zaev, Kryeministër
“Procesi ka zgjidhje, këtë e di opinioni dhe qytetarët e Maqedonisë. Mirë do të ishte presidenti ta nënshkruaj dhe le të mbetet me qëndrimet e tij. Qëndrimet janë legjitime, çdokush ka të drejtë në qëndrimet e veta. Unë dhe presidenti pajtohemi në shumë çështje, reformat në armatë, ka filluar vendosja e diplomatëve dhe kështu me radhë. Për këtë çështje nuk pajtohemi. Por, ligjet dhe kushtetuta na obligojnë të gjithëve si të veprojmë”.
Kryeministri tha se referendumi do të jetë ai që do të thotë përgjigjen përfundimtare sa i përket marrëveshjes për emrin.
Zoran Zaev, Kryeministër
“Më marrëveshje të nënshkruar ligji hyn në fuqi, por në fund referendumi është përfundimtar. Me referendum të suksesshëm të gjithë që jemi të zgjedhur nga populli do të përkulemi dhe atë do ta respektojmë deri në fund. Mua më vjen mirë që kemi sinjale të këtilla nga presidenti dhe opozita, në fund janë qytetarët ata të cilët na vendosin neve politikanëve në çfarëdo lloj pozite, madje edhe kur na vendosin në opozitë”.
Sipas tij, vendi nuk ka alternativë më të mirë se integrimin në NATO dhe BE, ndërsa marrëveshjen ai edhe njëherë e vlerësoi si të drejtë, me të cilën realizohen aspiratat shekullore të vendit dhe tani më Maqedonia, siç theksoi ai, ka një mik të ri i cili e përkrah atë./shenja