Zaev: Referendumi, fjala e fundit për emrin e Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se referendumi do të jetë fjala e fundit për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Baby Boo

“Vota popullore do të jetë ajo që do të orientojë qeverinë se në cilin drejtim duhet të ecë”, u shpreh Zaev në një vjetorin e formimit të ekzekutivit reformator.

Ai preferoi të mos i komentonte parashtesat apo prapashtesat që përmban propozimi i ri për emrin duke nënvizuar se tashmë Maqedonia është në prag të zgjidhjes së çështjes mbi 26 vjeçare.

“Republika e Maqedonisë Veriore”, “Republika e Maqedonisë së re” dhe “Republika e Maqedonisë së Epërme” janë jozyrtarisht propozimet e fundit për emrin në kuadër të marrëveshjes së arritur nga takimi i fundit në Bruksel midis ministrave të Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

Korniza e marrëveshjes është dakordësuar mes dy kryediplomatëve dhe parashihet një plan prej 11 pikash, i cili shpresohet t’i vërë kapak grindjes shumëvjeçare mes Athinës dhe Shkupit. Nisma duhet të marrë më pas dritën jeshile të Zaevit dhe homologut te tij grek, Aleksis Tsipras.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov ndërkohë e ka kritikuar qeverinë për mungesë të transparencës në rrjedhën e deritanishme të bisedimeve, në veçanti pas njoftimeve mbi arritjen e kornizës për marrëveshje të mundshme