Zaev: Nëse dështojmë tani, vazhdojmë pas 3 muajsh


Kryeministri Zoran Zaev tha se e ardhmja evropiane e Maqedonisë varet nga zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. Në një intervistë për televizionin bullgar, BTV, Zaev paralajmëroi se negociatat do të vazhdojnë pas 3 muajsh, në rast se tani palët dështojnë në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.

Nëse nuk kemi sukses, me gjasë nuk do të kemi të ardhme në BE, në NATO. Atëherë do të duhet ta sjellim Evropën në Shkup, nuk shoh tjetër alternativë. Në fund të fundit nëse nuk gjendet zgjidhje çështja do të mbetet e hapur dhe pas 3 muajve, pas 6 muajve do të vazhdojmë sërish ta kërkojmë zgjidhjen -deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Ndërkohë, kryeministri grek, Aleksis Cipras theksoi se Greqia asnjëherë nuk ka qenë më e përkushtuar për të gjetur zgjidhje përfundimtare. Por, zyrtarët grek në njërën anë shprehen të gatshëm për arritjen e marrëveshjes ndërsa në anën tjerë në të gjitha prononcimet për mediat greke theksojnë qartë se zgjidhje nuk do të ketë pa ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë.

Greqia për herë të parë në mënyrë aq të vendosur po mundohet të gjejë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit, me garanci se do të ketë zgjidhje përfundimtare -deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Këto komente Cipras i bëri në pres konferencën e përbashkët me Presidentin e Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker i cili nënvizoi urgjencën për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.

Nuk jam kompetent të ju jap ndonjë udhëzim, as ide e as drejtime sa i përket çështjes që duhet në çdo rast ta zgjidhni mes jush. Por, më lejoni ta theksoj urgjencën që e karakterizon zgjidhjen e problemit, duke e pasur parasysh rajonin e komplikuar. I kam në mendje fjalët e Çerçilit: Këtu historia që prodhohet nuk mund të konsumohet – deklaroi Zhan Klod Junker, President i Komisionit Evropian.

Pas negociatave të mbrëmshme në Vjenë mes kryediplomatëve dhe ndërmjetësit të OKB-së, nuk u kumtua ndonjë rezultat konkret, por vetëm se u paralajmërua se ato do të vazhdojnë më 3 dhe 4 maj në Selanik. Në frymën e miqësisë së mirë, i pari i Athinës është në vizitë në Shkup dhe pritet që nesër me homologun e tij maqedonas të nënshkruajë marrëveshje për bashkëpunim të dy kryeqyteteve./Alsat-M

Baby Boo