Zaev: Liderët evropian duhet të gjejnë mënyrë për të mbajtur fjalën


Kryeministri Zoran Zaev thotë se zhgënjimet e pafundme dhe të përsëritura në mënyrë të pashmangshme hapin derën dhe inkurajojnë euroskeptikët. Përmes një statusi në facebook, ai u ka kërkuar liderëve evropianë të gjejnë mënyrë për të mbajtur fjalën dhe për të vazhduar zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Pas edhe një vetoje tjetër nga Bullgaria kundër fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, Zaev thotë se integrimi evropian nuk duhet të mbahet peng i çështjeve bilaterale dhe negociatat me BE-në nuk duhet të kthehen në negociata me Bullgarinë.

Zoran Zaev, kryeministër
“Përparimi ynë në integrimin në BE duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme në lidhje me kapitujt, legjislacionin e BE-së dhe arritjen e standardeve evropiane. Liderët evropianë duhet ta marrin seriozisht faktin se zhgënjimet e pafundme dhe të përsëritura në mënyrë të pashmangshme u hapin derën dhe inkurajojnë euroskeptikët. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të gjejë formulë se si ta mbajë fjalën e saj dhe të vazhdojë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”.
Edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska deklaroi se në kontestet bilaterale duhet të shihet çfarë bën pala tjetër. Mirëpo ajo është e bindur se pas bllokimeve, zëri i kritikave do të rritet edhe më shumë.

Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes
“Me rezultate të mira jam e bindur se do t’i demantojmë edhe skeptikët më të mëdhenj. Jam e bindur se zëri kundër bllokimit nga cili do më shumë rritet. E patë gjatë ditëve të fundit pas vendimit të Bullgarisë, kritikë më e fuqishme vjen nga qytetet tjera evropiane se sa dëshpërimi dhe kritika që me arsye vijnë nga ne”.
Ndërsa nga VMRO-ja opozitare akuzuan Zaevin se në takimet e realizuara në Sofje ka thënë se maqedonasit dhe bullgarët janë i njëjti popull, me të njëjtën gjuhë ose të ngjashme.

VMRO-DPMNE
“Në vend që Zaev të luftojë për linjat e kuqe, për interesat strategjike, informacionet tona thotë se me njerëz të shquar nga politika evropiane, Zaev në takime ka thënë se maqedonasit dhe bullgarët janë i njëjti popull, me të njëjtën gjuhë ose gjuhë të ngjashme. Përveç që ka konfirmuar se është pakurrizor, Zaev fitoi një tjetër bllokadë për Maqedoninë. Nuk ka progres me politika të tilla tradhtare dhe nuk ka asnjë mohim nga qeveria për pretendime të tilla”.

Përndryshe, një ditë më parë presidenti bullgar Rumen Radev tha se është koha që të gjithë të kuptojnë se përshpejtimi i perspektivës evropiane për vendin fqinj varet vetëm nga angazhimi dhe rezultatet e dialogut me Bullgarinë, duke shtuar se tema e fillimit të negociatave midis Maqedonisë dhe BE-së u pezullua nga liderët evropianë me insistimin bullgar.
Presidenca Portugeze ka thënë se çështja e zgjerimit të BE do të rihapet gjatë presidencës së Sllovenisë në 1 korrik.

Baby Boo