ZAEV: KY ËSHTË REFERENDUMI PËR PAVARËSINË TONË TË DYTË (VIDEO)


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka shprehur sot optimizëm para deputetëve të Parlamentit Evropian, se vendi nuk do ta lëshojë mundësinë historike para të cilës ndodhet dhe do të vendosë për të vazhduar rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Zaev sot nga Parlamenti Evropian, deklaroi se besimi i fortë në ardhmërinë evropiane ishte motivi kyç për arritjen e marrëveshjeve historike me Bullgarinë dhe Greqinë.

Ai tha se me palën greke, janë dakorduar për specifikat e veçorive të identiteve të dy popujve, njëherë e përgjithmonë dhe se beson se do ta bëjnë zgjidhjen e duhur deri në fund. Ai vlerëson se është në duar të qytetarëve të dy vendeve që të vendosin nëse do ta kalojnë pragun e ardhmërisë, ndërsa  për Maqedoninë ai thotë se ajo është mundësi që e ka pritur shumë gjatë.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë
“Marrëveshja e Prespës është kompromis që të zhvendosemi nga situata status quo dhe të ecim përpara drejt ardhmërisë. Tani jemi në vendin kur kemi mundësi ta braktisim të kaluarën , ta lëmë pas vetës dhe të hapërojmë drejt ardhmërisë. Referendumi i 30 shtatorit është shumë më shumë se sa vetëm referendum për Marrëveshjen e Prespës. Ai është referendum i ardhmërisë, është referendum  për pavarësinë tonë të dytë, është referendum me dimenzione historike edhe për ne si ato të vitit 1991, sepse e dijmë se liria dhe pavarësia jonë si vend i vogël është e garantuar vetëm si anëtare e bashkësisë ndërkombëtare, si anëtare e BE-së dhe NATO-s”.

Kryeministri Zaev ka shtuar se po bëjnë gjithçka për t’i arritur standardet e Bashkimit Evropian, dhe për realizimin e rekomandimeve si instutucione të pavarura dhe demokratike, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Ai më tej ka shtuar se gjatë javëve të kaluara kanë marrë inkurajim të madh nga vizitat e shumë anëtar të Parlamentit Evropian, liderëve të vendeve anëtare të BE-së, lider të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian të cilët kanë vizituar vendin për ta shprehur mbështetjen e tyre për referendum më 30 shtator.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë
“Qytetarët e dinë çfarë vendimi duhet të sjellin. Ai nuk është vendim i lehtë. Do të jemi Republika e Maqedonisë së Veriut por do të pranohet populli maqedonas dhe do të pranohet gjuha maqedonase. Po ashtu, e dijmë se cilat janë përfitimet nga ai vendim dhe e dijmë se kjo është shansa më e mirë që e ka fituar vendi deri më tani. E dimë se ajo është shansë njëherë e përgjithmonë dhe nuk do ta lëshojmë. Do ta kapim atë shansë sepse ajo është bileta jonë për Bashkimin Evropian dhe NATO”.

Ai është shprehur optimist se referendumi do të jetë i suksesshëm, ndërsa Maqedonia do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-së dhe do t’i përmbyll kapitujt për anëtarësimin në BE.

Baby Boo