Zaev: “Jugohromi” nis punën pasi të vendos filtrat. Zaev: do të hetohen të gjitha bashkësitë fetare


Kështu u përgjigjen në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve kryeministri, Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Nuk është çështje dileme nëse do të lëshohet fabrika para filtrave. Atë e dinë edhe pronarët edhe të punësuarit. Ndotja është e madhe për ata qytetarë që jetojnë në atë rajon”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Nuk do të lejojmë hapjen e “Jugohrimit” nëse nuk përmbushen standardet ekologjike. Filtrat patjetër të ndërtohen. Pronari ka pasur probleme financiare dhe ngadalë e ka ndërtuar filtrin, por qeveria nuk ka toleruar dhe “Jugohrom” nuk është lejuar të nis punën. Jemi dakorduar që pronari të investojë 1 milion euro shtesë para nga investimet paraprake dhe më pastaj shteti t’i ndihmojë në kryerjen e obligimit. Është e vërtetë që në rajonin e Pollogut papunësia është më e lartë, por shëndeti i qytetarëve nuk ka çmim”,- theksoi zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
Deputeti, Muhamed Zekiri, pyeti rreth asaj se a ka hyrë ndonjëherë në BFI Inspektorati i Punës që të kontrollojë nëse u paguhen imamëve pensioni invalidor.
“A ka hyrë ndonjëherë në BFI Inspektorati i Punës që të kontrollojë nëse u paguhen imamëve pensioni invalidor. Por, edhe Policia Financiare a do të hyjë të kontrollojë se si menaxhohet ky institucion”?,- theksoi deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.
Kryeministri Zaev u përgjigj se Inspektorati i Punës do të marrë urdhër direkt prej tij për të mbikëqyrur punën e bashkësive fetare në vend.
“Qeveria mban raporte të mira me të gjitha bashkësitë fetare dhe ne nuk jemi kompetentë të përfshihemi në punën e tyre për shkak të sekularitetit të shtetit. Nuk jemi përgjegjës por as që duam, madje as edhe Kushtetuta nuk na lejon involvimin në punët e brendshme, por kjo nuk do të thotë që dikush mund të jetë jashtë ligjit kur bëhet fjalë për pagimin e taksave, kontributeve e kështu me radhë. Inspektorati i punës do të marrë leje personalisht nga unë që të hetojë se në ç’mënyrë paguhen kontributet në BFI dhe bashkësitë tjera fetare”,- theksoi kryeministri,  Zoran Zaev.
Zaev po ashtu theksoi se të dhënat ndaj shtetit duhet të vlejnë dhe zbatohen për të gjithë njësoj, pavarësisht se për cilën nga bashkësitë fetare bëhet fjalë, duke shtuar se nëse konstatohen parregullsi në këto institucione, të njëjtat do të publikohen para opinionit.
Baby Boo