Zaev ende mendohet nëse do të shkojë në Davos


Kryeministri Zoran Zaev ka një ftesë, por ende mendohet nëse do të shkojë në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti, që zhvillohet në Davos, qyteti i vogël zviceran nën Alpet. Nga Qeveria thonë se në periudhën e ardhshme do të përcaktohet agjenda nëse Zaev do të marrë pjesë për herë të dytë në mbledhjen e këtij viti të elitës botërore politike dhe të biznesit, e cila mbahet nga 23 deri më 25 janar.

Kryeministri ka një ftesë për të marrë pjesë, por agjenda e tij ende nuk është e mbyllur, kështu që mbetet në të ardhmen për t’u përcaktuar nëse do të udhëtojë për në Davos”  -theksuan nga Qeveria RM-së

Zaev vitin e kaluar pas një pauze prej 15 vjetësh për herë të parë si kryeministër maqedonas përfaqësoi vendin në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Atëherë ndodhi edhe takimi i parë historik me Kryeministrin grek Aleksis Csipras, ku të dy kryeministrat e thyen akullin për të zgjidhur mosmarrëveshjen dekadëshe për emrin. Vetëm një vit më vonë, po vërehen rezultatet konkrete të atij takimi. Ndryshimet kushtetuese me të cilat ndryshohet emri i shtetit, që nënkupton zgjidhje të kontestit disavjeçar, deri kah mesi i muajit pritet të votohen në Kuvend. Ndryshe, tema e Forumit botëror ekonomik këtë vit është “Formësimi i arkitekturës globale në epokën e revolucionit të katërt industrial”. Në Samit pritet të marrin pjesë 70 liderë botërorë dhe zyrtarë të mbi 100 korporatave. Prezencën e tyre në Davos e kanë konfirmuar presidenti amerikan Donald Tramp, kryeministrja britanike Tereza Mej, kryeministri kanadez Xhastin Trudo dhe presidenti francez, Emanuel Makron.

Mediat botërore shkruan se ekziston mundësia që pas dhjetë viteve, në këtë forum të marrë pjesë edhe presidenti rus, Vlladimir Putin. Përderisa ekonomistët, politikanët dhe gazetarët janë të ftuar dhe shpenzimet e akomodimit të tyre paguhen nga organizatorët, biznesmenët duhet të paguajnë nga 40.000 dollarë që të marrin pjesë në Davos. Vitin e shkuar gjatë vizitës në këtë vend, Zaev ishte i shoqëruar nga dhjetë zyrtarë të Qeverisë. Në mesin e tyre ishin këshilltari për çështje të jashtme Dane Talevski, këshilltari për euro- integrime Bojan Mariçiq, Vlladimir Cvetkoviq, këshilltar qeveritar për teknologji IT dhe Mitko Andreevski, bashkëpunëtor i jashtëm në Qeveri.

Baby Boo