Zaev e Sela me qëndrime të harmonizuara, shpresa që nesër të gjendet zgjidhje për Ligjin për shtetësinë


Kryeministri Zoran Zaev bashkë me anëtarë të tjerë të Qeverisë, nesër në orën 11 pritet të ulen në tryezë me opozitarët shqiptarë Ziadin Sela dhe Afrim Gashi.

Të dyja palët tashmë kanë shprehur optimizëm se do të gjendet zgjidhje, ndërsa kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela në intervistë konfirmon fjalët e kryeministrit Zaev se me dëshmitarë nuk do të mund të fitohet shtetësia, por me ndonjë dokument që vërteton banimin në Maqedoninë e Veriut.
“Ne jemi të gatshëm për të folur rreth kësaj teme. Në rregull, nuk ka nevojë të jenë dëshmitarë, ja do të jetë dëftesa, tatimi që kanë paguar, rryma, nuk e di, por le të ketë disa që ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë meqë e kemi hapur këtë problem. Jo pas 10 vitesh sërish t’i rikthehemi, hajde sërish shtetësia, sërish shtetësia dhe sërish shtetësia”, deklaroi Sela.

Ditë më parë, kreu i ekzekutivit Zaev u shpreh se dëshmitarët nuk janë zgjidhje, ndërsa ajo që do t’u propozohet opozitarëve Sela e Gashi është zgjidhje ligjore sipas shembullit të ligjit të vitit 2004 për marrje të shtetësisë.
“Nga takimi i fundit doli përfundim se me të vërtetë se dëshmitarët nuk janë zgjidhje por rreth 10 deri 15 kushte të listuara, me përmbushjen e një prej kushteve, sipas shembullit të 2004/05-tës do të munden numri më i madh e atyre qytetarëve të marrin shtetësi”, pati thënë më 08.04.2021, Zaevi.

Ditë më parë u raportua për listën e dokumenteve që sipas ligjit të 2004-tës mund të vlejnë si dëshmi për marrje të shtetësisë. Këtë opsion e konfirmoi edhe koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së Arbër Ademi.

Ndër dokumentet që parashihet të vlejnë si dëshmi janë dëftesa shkollore, libreza shëndetësore, pune ose kursimesh në banka të vendit, fatura të paguara të rrymës, ngrohjes ose ujit, dokument pronësie, vërtetim për tatim të paguar, pronë të paluajtshme, bujqësore dhe të tjera, vendim për obligime tatimore, vërtetim për mjekim të kryer në shtëpi të shëndetit publik ose dëshmi të tjera të lëshuara nga organe shtetërore me të cilat vërtetohet banim i përhershëm në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Zgjidhja e çështjes së shtetësisë do të sillte edhe zhbllokimin e Kuvendit nga mijëra amendamentet që tashmë ka dorëzuar koalicioni ASh-AAA.

Baby Boo