Zaev e Borisov bashkarisht tek Papa Françesko


Kryeministri Zoran Zaev sot, në suaza të vizitës në Republikën e Italisë dhe në Fronin e Shenjtë me rastin e manifestimit “Maqedonia për nder të Shën Kirilit”, do të marrë pjesë në audiencë tek i pari i Kishës katolike, papa Françesku, përcjell Fakte.

Sipas agjendës, kryeministri Zaev, i cili e kryeson delegacionin qeveritar, në përbërje të të cilit janë zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski, këshilltari për politikë të jashtme të kryeminsitrit, Dane Taleski dhe drejtori i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare, Darijan Sotirovski, pas takimit me Papën duhet të realizojnë takim edhe me sekretarin shtetëror të Fronit të shenjtë, kardinalin Pjetro Parolin.

Ndërsa kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në shoqërim të bashkëshortes dhe delegacionit qeveritar dje mori pjesë në aktivitetet e përbashkëta për nder të veprës së vëllezërve të shenjtë Kirili e Metodi, me delegacionin e Republikës së Bullgarisë të kryesuar nga kryeministri Bojko Borisov.

Nga shërbimi qeveritar për shtyp kumtuan se dy delegacionet qeveritare të kryesuara nga kryeministrat Zaev dhe Borisov morën pjesë në lutjen dhe ceremoninë e vendosjes së luleve në varrin e Shën Kirilit në bazilikën “San Klemente” në Romë.

Më pas, Zaev dhe Borisov vendosën lule në pllakën përkujtimore për nder të papa Adrian II, në bazilikën “Santa Maria Maxhore”.

“Me aktivitetet e përbashkëta për shënimin e vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, ne e konfirmojmë miqësinë tonë të sinqertë dhe së bashku, tërë botës ia dërgojmë porosinë humane të misionit të Shën Kirilit dhe Metodit”, e ajo është porosia për dialog dhe mirëkuptim të ndërsjelltë”, theksoi Zaev

Kryeministri Borisov tha se pjesmarrja e përbashkët në aktivitetet për nder të Shën Kirilit dhe Metodit me priftërinjtë nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë dhe Bullgarisë e konfirmon përcaktimin e përbashkët për miqësi dhe fqinjësi të mire në mes dy vendeve./TV21

Baby Boo