Zaev: Dëshirojmë kandidat konsensual


Dëshiroj të kemi kandidat konsensual për president, i cili do të jetë babai i popullit dhe mbrapa të cilit do të qëndrojmë të gjithë”, tha kryeministri Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

“Deri më tani nuk është hapur procesi në lidhje me kandidatin për president, pasi që është rrjedhë procesi shumë serioz në fazën e mbarimit të ndryshimeve kushtetuese”, tha kryeministri Zaev, duke shtuar i vjen mirë që ka kandidatë, por duhet të shihet se cilët prej tyre i duan qytetarët.

“Dëshiroj të kemi kandidat konsensual prej të gjithëve. Të kemi njeri i cili do të jetë baba i popullit, mbrapa të cilit do të qëndrojmë të gjithë”, tha Zaev dhe shtoi se shpreson se do të zgjedhet kandidati për të cilin do të jetë nderë që ta promovojnë si president të ardhshëm të Maqedonisë”.

Kryeministri pret që koalicioni të fitojë në zgjedhjet presidenciale, por vendimin për zgjedhjen e kandidatit do ta japin qytetarët.

“Do të përpiqemi që ta gjejmë më të mirin ose më të mirën. Do të përpiqemi që të gjejmë kandidat që maksimalisht është i pranuar për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, thotë Zaev.

Ndryshe, sot VMRO-DPMNE ka publikuar shpallje publike për paraqitje të kandidaturave për president të Maqedonisë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski (Foto: Arbnora Memeti)
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski (Foto: Arbnora Memeti)
Nga partia thonë se të gjithë ato kandidatë, të cilët i plotësojnë dispozitat ligjore dhe kushtet për kandidim dhe të cilët pajtohen dhe i përkrahin politikat e VMRO-DPMNE-së, duhet që të dorëzojnë letër individuale deri te selia e partisë më së voni deri më 31 janar.

“Menjëherë pasi të dorëzohen kandidaturat, të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet, do të kenë të drejtë të barabartë t’i prezantojnë planet dhe programin përpara partisë. Në pajtueshmëri me vendimin e Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së në konventë do të marrin pjesë dhe do të vendosin 550 delegatë. Parimi për zgjedhje është me votim të fshehtë, ndërkaq për do të vlerësohet si kandidat i zgjedhur i VMRO-DPMNE-së për kandidim në zgjedhjet presidenciale ai që do të fitojë më shumë vota, por jo më pak se një e treta e delegatëve. Nëse asnjëri kandidat nuk e fiton numrin e nevojshëm të votave, atëherë votimi do të përsëritet. Në votimin e dytë do të marrin pjesë dy kandidatë të cilët kanë marrë më shumë vota në votimin e parë”, informojnë nga partia opozitare.

Sipas informatave, konventa duhet të mbahet më 16 shkurt. Në parti janë të bindur se kandidati i tyre do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se me 2 ose 3 shkurt të këtij viti do të shpallen zgjedhjet presidenciale që do të mbahen sipas të gjitha gjasave në fund të marsit, ose në fillim të prillit.

Që zgjedhjet të jenë të suksesshme, duhet që të dilet në rrethin e dytë rreth 720 mijë votues, ose rreth 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve në Listën Zgjedhore..

Burimet kuvendore thonë se nëse nuk do të ketë cenzus, atëherë do të iniciojnë ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjedhet në Kuvend. Shumica parlamentare me tetë deputetët e pavarur nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së ka 80 vota, aq sa nevojiten për ndryshim të Kushtetutës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale që janë mbajtur më 13 dhe 27 prill të vitit 2014, i ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.

Baby Boo