Ballina Pa Censurë Zaev: Asgjë kontestuese në biznesin e Vice Zaevit

Zaev: Asgjë kontestuese në biznesin e Vice Zaevit


Kanë vazhduar përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në lidhje me tokën e shitur në Strumicë, në të cilën më pas ka ndërtuar banesë vëllai i kryeministrit Zaev, Vice Zaev.

Kryeministri i mohon akuzat e kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovskit, i cili tha se Zaev ka keqpërdorur pozitën e kryetarit të komunës për pasurim personal dhe familjar. Zaev theksoi se procedura për shitblerje të tokës është bërë në mënyrë transparente, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore. Në pyetjen se sa ka përfituar vëllai i tij nga ky investim, Zaev tha se sipas informative që ai i ka, as 60% sa ka investuar vëllai i tij, Vice Zaev, nuk i ka kthyer.

“Bëhet fjalë për procedurë të tërësishme ligjore, e cila është respektuar deri në fund dhe dihet se edhe kur është bërë shitblerja e asaj toke është nënshkruar tjetërkush, në pajtueshmëri me Ligjin për ndeshje të interesave dhe kundër-korrupsionit. Unë nga ajo që e di është se as 60% e parave të investuara nuk janë kthyer, pasi u duhet kohë të presin pagesat, të shesin banesat e kështu me radhë. Bëhet fjalë për shitblerje të tokës e cila kushton shumë, paguhen taksat, ndërtohet banesa dhe prisni që pas 20-30 vitesh t’i ktheni paratë”,- theksoi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

Por, nga VMRO-DPMNE theksojnë se nuk është e rastësishme që toka i është shitur Sashko Brmndevskit, i cili është partner i Vice Zaevit. Nga VMRO theksojnë se hap dyshime logjike se përse Sashko Brndevski të investojë 700.000 euro dhe më pastaj të heq dorë nga investimi duke u mjaftuar vetëm me një banesë 40m2. Sipas VMRO-së, Brndevski është vetëm një mjet shfrytëzimi, i cili e ka ndihmuar familjen Zaev që të pasurohet.

“Mu kjo logjikë hap dyshime se partneri i Vice Zaevit, Sashko Brndevski, është vetëm paravani pas të cilit fshihen interesat e biznesit të kartelit të qeverisë. Roli i Brndevskit është që ta maskojë pasurinë e Zaevit. Kjo është metoda me të cilën Zaevët kanë doktoruar në Strumicë. Zorani shet, disa manipulant biznesor blejnë. Zorani jep leje për ndërtim, ndërsa pastaj parcela e re i shitet Vices në çmim të ulët, dhe në fund Zaevët fitojnë ndërtesë në vlerë të disa miliona eurove”,– u shpreh Igor Janushev nga VMRO–DPMNE.

Akuzat e VMRO-së u demantuan edhe nga ana e komunës së Strumicës dhe LSDM-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)

 

Baby Boo