Zaev: 56 këshilltarë. Mes tyre: Shaqiri, Miletiq, Bytyqi, Boshkovski, Bilalli, Zeçeviq,….

Emërimi i Këshilltarëve të Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, si duket po merr karakter hollywood-ian, shkruan Fakte. Pas emërimit të Xhezair Shaqirit – komandant Hoxhës për këshilltar për Siguri, sikur u hap Kutia e Pandorës për këtë çështje.

Baby Boo

Lista e Këshilltarëve

Në pyetjen e dërguar me shkrim nga REL, në lidhje me ate se sa Këshilltarë ka kryeministri Zoran Zaev, Qeveria është përgjigjur se ai ka 13 Këshilltarë të posaçëm, 10 Këshilltarë si dhe 33 Këshilltarë – bashkëpunëtorë të jashtëm të cilët Zaev i ka angazhuar në kabinetin e tij. Gjithsej ata përbëjnë listën prej 56 këshilltarë.

Mes tyre gjenden: Xhezair Shaqiri – Këshilltar për siguri të brendshme dhe luftë kundër radikalizmit; Fatmir Besimi – Këshilltar, bashkëpunotor i jashtëm në lëminë e ekonomisë; Dragisha Miletiq – Këshilltar, bashkëpunëtor i jashtëm për marëdhënie ndëretnike dhe bashkëpunim mes bashkësive etnike; Mile Zeçeviq – Këshilltar, bashkëpunëtor i jashtëm për çështje juridike; Fatmir Bytyqi – Këshilltar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Lube Boshkovski – Këshilltar i posaçëm për investime të huaja; Zoran verushevski, Mersel Bilalli, Ismet Ramadani, Dane talevski dhe shumë emra të tjerë, më shumë ose më pak të njohur për opinionin, shkruan Fakte.

Lista e zezë amerikane

Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DMPNE nëpërmjet kryetarit të saj Hristijan Mickovski, ka reaguar në lidhje me emërimet e fundit në postet e këshilltarit të Kryeministrit. Mickovski ka kundërshtuar kryeministrin Zaev se një komandant i UÇK-së duhej të punësoj në Qeveri si Këshilltar i Kryeministrit “sa për t’i ndihmuar atij dhe familjes së tij finansiarisht”. Ai e ka porositur zaevin që ta punësojë Shaqirin në firmën e tij private nëse dëshiron ta ndihmojë dhe jo nga buxheti i qytetarëve.

Një problem tjetër që ka paraqitur opozita është se së paku dy nga këshilltarët e Kryeministrit, Lube Boshkovski dhe Xhezair Shaqiri, akoma vazhdojnë të qëndrojnë në “Listën e zezë” amerikane, si persona të cilët përbëjnë rrezik për stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perendimor.

Pagesa

Sipas të dhënave zyrtare nga shpallja e fundit për Këshilltarë të posaçëm mundej të shihet se rroga mujora e tyre për orarin e caktuar, do të jetë mes 25 mije dhe 50 mijë denarë. Këshilltarët e jashtëm për problematika të ndryshme, si në rastin e Xhezair Shaqirit, do të paguhen 36 mijë denarë, ose rreth 600 euro në muaj.

Nevojë apo interes?

Sipas ekspertëve të lëmisë, angazhimi i një numri kaq të madh të këshilltarëve nga ana e kryeministrit nuk përbën shkelje ligjore, pasi ai e ka mundësinë e hapur për të angazhuar personat që do ta këshillojnë. Por, sipas tyre, në raste të shumta nuk bëhet fjalë për funksione reale, por për fiktive, pasi që në këtë mënyrë kryeministri kompenson dhe balancon “hesape” tjera politike. Kështu, për shembull, funksione të larta shtetërore morën edhe ish funksionarë nga Qeveria e kaluar, si Llazar Elenovski dhe Gligor Tashkoviq, njëri Koordinator i Maqedonisë për NATO dhe i dyti anëtar ndërkombëtar në Komitetin e Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik.