Xhaferi takon përfaqësuesit e bashkësisë boshnjake


Në drejtim të shënimit të 11 korrikut – Ditës së kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim me përfaqësuesit e partisë politike Lidhja Demokratike Boshnjake, me përfaqësues të shoqatave boshnjake dhe bashkësisë boshnjake në Republikën e Maqedonisë.

Ky aktivitet, siç njofton Seksioni për informim publik dhe marrëdhënie me publikun, është rezultat i Deklaratës për mbështetjen e Rezolutës së Parlamentit Evropian për Srebrenicën prej më 15.01.2010, me të cilën Deklaratë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë u obligua që këtë datë ta shënojë në mënyrë përkatëse, institucionale, me ç’rast përveç përmbushjes së obligimit, do të nderohen edhe viktimat e këtij gjenocidi.

Në takim, përveç kryetarit Xhaferi, ishin të pranishëm edhe deputetët Ferid Muhiq dhe Zeqir Ramçilloviq.

Në fillim të takimit, kryetari i Kuvendit i informoi të pranishmit se vitin e kaluar, në emër të Kuvendit kishte Delegacion në Potoçar, ndërsa këtë vit vendimi është që kjo ditë të shënohet në shtëpinë ligjvënëse dhe mesazhi i tij ishte se nuk mund të kthehet koha dhe nuk mund të shërohet dhimbja mirëpo, mund të nxirret mësim, nuk guxon të harrohet dhe kurrë mos përsëritet.

Deputetët Muhiq dhe Ramçilloviq shprehën falënderim ndaj kryetarit të Kuvendit dhe ndaj Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për trajtimin dhe mirëkuptimin për nevojat e bashkësive në vend, me ç’rast e sugjeruan faktin se arsimi fillor në gjuhën boshnjake është pranuar në mënyrë pozitive nga të gjithë. Duhet të mbështetet arsimi, me këtë edhe integrimi i bashkësive etnike në vend, për arsye se ato janë vetëm vlerë e shtuar në çdo shoqëri të përparuar, evropiane.

Nga ana e përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike Boshnjake, përveç kryetarit të partisë, u drejtua edhe koordinatori i Këshillit për shënim i cili informoi për të gjitha aktivitetet e parashikuara. Në këtë kontekst, kryetarit të Kuvendit ju vu në jakë Lulja simbolike e Srebrenicës dhe ju dha Trëndafil i bardhë. Pas takimit, dhanë deklarata për mediumet.

Baby Boo