Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi për gazetën greke “Naftemboriki” ka shprehur bindje se Marrëveshja e Prespës do të kalojë në Kuvendin e Greqisë, edhe pse tha se nuk dëshiron të komentojë ndodhitë e brendshme politike në Greqi dhe shtoi se marrëveshja është e dobishme për qytetarët e dy vendeve, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, transmeton Portalb.mk.
“Pavarësisht reagimeve të opozitës edhe në të dy vendet, Marrëveshja e Prespës është e mirë, kontribuon për stabilitetin e brendësisë së Greqisë dhe të Maqedonisë, por edhe në stabilitetin e rajonit më të gjerë”, tha Xhaferi.
Kryetari i Kuvendit tha se edhe përkundër refuzimit të presidentit Ivanov që t’i nënshkruajë ndryshimet kushtetuese, ata hyjnë në fuqi.
“Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar ta nënshkruajë në bazë të shumicës kuvendore, ndërsa refuzimi i tij është krejtësisht kundër kushtetues”, tha Xhaferi.