Xhaferi: ‘Ishte çallëmi madh, koha të reflektojmë’


Arijanit Xhaferi

Çmenduria para #coronavirusit.
Imagjinoni, para ca ditësh paguanim 100 denarë për një lëng, 60/80 denarë për një kafe, 100 deri 180 denarë për një hamburger apo një sanduiç çfarëdoqoftë. Harxhonim me mijëra euro për iPhone apo Samsung më të ri. Për nuset e reja harxhonin nga 150 – 200 euro për t’u rregulluar për ditën e martesës, disa prej tyre mbanin stilistin apo stilisten me vete gjatë gjithë ditës për t’ja mirëmbajtur fytyrën apo flokët për një kosto prej 500 -700 eurosh shtesë. Për to blenin dhe fustan të bardhë edhe nga 2,000 deri 4,000 euro sepse e ka dizenju filani apo fisteku. Dhjetëra fustane e dimi nga mesatarisht 400 deri 2,000 euro. Shumë gra të të tjera harxhonin mesatarisht nga 1,500 deri 2,500 denarë për të bërë flokët dhe makiazhin për një dasëm, shto këtu dhe fustanin e ri për atë dasëm me çmim prej 150 deri 400 euro (mesatarisht). Çmenduria e jonë s’kishte fund sepse në dasma hidhnim me mijëra euro muzikës, përveç pagesës me të cilën ishin kontraktuar. Tre-katër lloje sallatash në tavolinë, tre-katër lloje të mishit në pjatë, pije pa kufi e menze në çdo dasëm – secili më shumë se tjetri….Çallëmi s’kishte fund… Xhiro të panevojshme me makina nëpër qytet, duke harxhuar si të çmendur, duke bërë rrëmujë, duke u parkuar vend e pa vend, duke bllokuar trotuaret e vijat e bardha. Biznese që bënin miliona në një vend me ekonomi të shkatërruar, me të rinj që çdo ditë mbushnin autobusët drejt Gjermanisë e gjithë Evropës, me doktorët që na ikën e për të cilët do kemi më shumë nevojë gjatë javëve në vazhdim. Sipërmarrës që fusnin paratë ndër jastëk në vend që t’i qarkullojnë për të krijuar vende të reja pune e për të forcuar fuqinë blerëse të qytetarëve. Uzurpatorë hapësirash publike, matrapazë që shesin e blejnë gjithçka në pronën publike të secilit, që mbulojnë hapësirat e gjelbërta me beton. Hajdutë të ujit të pijshëm që fusin lumenjtë nëpër gypa për të ndërtuar hidrocentrale me paratë tona, duke shkatërruar mjedisin tonë jetësor. Të njëjtët mafiozë që shkatërrojnë malet e pyjet për interesat e xhepave të tyre. Parti politike që merrnin votën e qytetarit dhe ja shkatërrojnë jetën atij. Merrnin dhe paratë e qytetarit për të bërë kampanja me të cilat i mashtrojnë edhe njëherë ata që i vjedhin.
Ekonomia e vendit tonë (ngjashëm si kudo në Botë) është goditur keq dhe sa më pak të harxhojmë në budalliqe, aq më mirë do jetë për secilin. Le të bëhemi gati për luftën e madhe ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo gjendje e tashme është vetëm një demonstrim i vogël i asaj që i përgatitet planetit Tokë. Dimra pa borë, shkretëtira me vërshime të mëdha, tërmete shkatërruese si asnjëherë më parë, zjarre që djegin e shkatërrojnë miliona hektarë pyje… dy herë më shumë njerëz mbi peshë se sa njerëz të urritur në gjithë botën. Katër herë më shumë ushqim hidhet se sa që nevojitet për të ushqyer të uriturit.
Sot Bota ndodhet para një krize e cila ka gjunjëzuar dhe shtete shumë të fuqishme. Dhe kjo krizë (pasi të kalojë CoronaVirus) do thellohet shkaku i ndryshimeve klimatike të cilave ne (secili) duke mos dashur të prishiim rehatllëkun tonë, i hedhim benzin zjarrit.
Mendojeni njëherë, ju o njerëz të mirë dhe ju o njerë jo aq të mirë… keni kohë për të reflektuar… Kur gjithçka të ketë marrë fund (për të mirë dhashtë Zoti), do veproni njësoj si më parë apo do përmirësoni sjelljet tuaja? Do harxhoni më shumë se sa që keni nevojë apo do matni dorën e do bëni kujdes. Do kërkoni të shtoni në maksimum profitin tuaj apo do i ndihmoni shoqërisë të rimëkëmbet. Ne e kemi në dorë të ardhmen e planetit tonë, të ardhmen e njerëzimit. Corona VIrus do kalojë dhe unë uroj që bashkë me të t’i themi “thefsh qafën” njëherë e përgjithmonë edhe tipareve jonjerëzore që kemi krijuar gjatë viteve të fundit, dhe në vendin tonë (por edhe në Botë) të mbisundojë dashuria, drejtësia, dhe respekti ndaj njerëzimit, ndaj natyrës, ndaj Zotit!!!

Baby Boo