Xhaferi: E zgjasim dorën e bashkimit të votës shqiptare


Talat Xhaferi, bartës i listës së BDI-së në njësinë e pestë zgjedhore ka bërë thirrje për unifikimin e votës shqiptare.

“Tashmë ju e dini që shtylla e platformës sonë zgjedhore, oferta kryesore politike e BDI-së për qytetarët, është të sigurojmë mbështetje politike, të krijojmë kushte, atmosferë që, pas zgjedhjeve të fitojmë edhe Kryeministrin e parë – shqiptar, theksoi Xhaferi.

Ai tha se kjo është një ofertë e mirë në të cilën beson dhe e mbështet fuqimisht.

“Kjo, padyshim do të nënkuptojë rrënimin e simbolit të fundit të stereotipit monoetnik gjatë ndarjes së funksioneve kryesore në shtet. Unë personalisht, pata privilegjin të tregoj se ky bëhet fjalë për një stereotip të imponuar, për një padurim të instaluar dhe mosbesim gjatë emërimit tim si Kryetar i Kuvendit. Sot, askush më nuk ndjen as kërcënim, as ndonjë mangësi nga fakti që një shqiptar qe tre vjet e udhëheq Kuvendin, dhe nëse më lejoni të jem jo modest – një rol që mendoj se e kam kryer mirë. Për më tepër, unë mendoj se në disa momente thelbësore – ishte një avantazh i vërtetë që unë nuk isha pjesë e partive kryesore të maqedonasve etnikë, që më mundësoi të veproja si një arbitër, një platformë e cila siguroi kushte për të ndërtuar konsensusin e sotëm.”, theksoi kryeparlamentari Xhaferi.

Ai shton se kjo i jep të drejtën, me gjithë përvojën e fituar, por edhe me gjithë kredibilitetin personal, të qëndroj edhe më fortë edhe pas kësaj ideje që Republika e Maqedonisë së Veriut të fitojë Kryeministrin e parë – shqiptar.

“Nëse jemi tërësisht të sinqertë, ideja për një Kryeministër – shqiptar, me siguri më së shumti diskutohet edhe në selitë e konkurrentëve tanë politikë, të cilët, ashtu si edhe ne, po luftojnë për votat e shqiptarëve. Dhe, nuk po e them këtë me ironi ose nënqeshje, por sepse sot dua t’ju drejtohem edhe atyre:

Është e vërtetë se ideja për Kryeministrin e parë – shqiptar erdhi nga BDI-ja, por kjo nuk duhet të jetë një handikap për t’u bashkuar rreth kësaj ideje fisnike.

Hajde së pari ne, partitë e shqiptarëve në shtet, të bashkohemi rreth kësaj ideje, t’i japim asaj një parashenjë mbipartiake, dhe kështu të inkurajojmë shqiptarët që edhe një herë të bashkohen rreth interesave të tyre.

Për të qenë preciz, ne ofrojmë një Kryeministër – një shqiptar, jo me çdo çmim një Kryeministër nga BDI-ja! – dhe kjo është një dorë e shtrirë, veçanërisht ndaj partive të shqiptarëve, që të qëndrojmë së bashku pas kësaj ideje. Këtu, sot, ne dërgojmë një ofertë publike se heqim dorë nga ekskluziviteti i kësaj ideje: Le të formojmë një platformë të përbashkët, një deklaratë të përbashkët, të premtojmë, të japim besë para qytetarëve se të gjithë ne, deputetë të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm, obligohemi se do ia japim mbështetjen asaj shumice politike në Kuvend e cila do eë pranojë dhe zbatojë këtë ide. Kjo është një ofertë serioze, është një vendim i guximshëm politik, por ju siguroj, është edhe mënyra më e mirë për të rikthyer besimin e shqiptarëve në politikë, tek ne politikanët, që pavarësisht nga mosmarrëveshjet tona, në momentet kryesore, për çështje kyçe, të tregojmë se kemi kapacitetin dhe virtytin për t’u bashkuar në interes të qytetarëve.”, theksoi Xhaferi.

Baby Boo