Vullnet Murseli: “Bilall Kasami nuk e mbajti besën”

Vullnet Murseli

Bilall Kasami nuk e mbajti besën!

I vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të Komunës së Tetovës gjatë udhëheqësive të kaluara, në zgjedhjet lokale të vitit 2021 unë u kandidova dhe garova për kryetar të Komunës së Tetovës me pëkrahjen e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Këto zgjedhje më sollën 16% të votave të përgjitshme me çka u plasova në vendin e tretë, pa mundësinë për të vazhduar garën më tej.
Qyteti jonë ishte përplotë me mbeturina nëpër rrugë, punëtorët e ndërmarrjes komunale për muaj të tërë nuk merrnin rroga, siguria publike rrezikohej nga qentë endacakë që ishin të pranishëm në gjithë qytetin, ekzistonte një politizim i skajshëm në shkolla, qyteti u vërshua nga kazino e bastore pa fund, po ndërtoheshin pallate dhe komplekse banesore që nuk i plotësonin standardet, rrëmuja në komunikacion edhe si pasojë e mungesës së vendparkimeve dhe garazheve në kate po shkaktonte kaos dhe tension në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, mungonte një vizion i qartë për zhvillimin e turizmit rural, nuk kishte promovim domethenës të vlerave kulturore e historike të qytetit tonë, nuk kishte përkrahje domethënëse për bizneset dhe industritë lokale, administrata komunale ishte gjysëmfunksionale pasi ishte mbushur me militantë partiakë një pjesë e të cilëve as që paraqiteshin në vendet e tyre të punës, dhe shumë e shumë probleme të tjera.
Programi im i prezantuar gjatë fushatës parazgjedhore ofronte ide dhe zgjidhje konkrete për këto çështje shumë të rëndësishme për qytetarët dhe në shumë aspekte ishte i përafërt edhe me programin e kryetarit aktual Bilall Kasami, të cilin e përkrahëm në raundin e dytë zgjedhor me çka dhe i fitoi zgjedhjet. Kishte shpresë reale që gjendja në Tetovë do ndryshonte për të mirë sepse në krye të udhëheqësisë komunale kishte shpresa se po vinte një ndryshim.
Përkrahja jonë nuk ishte kushtëzuar as me punësime, as me pozita nëpër institucione apo organe të komunës, as me interesa personale e private të mijat ose të shtabit tim, as me tendera e projekte të caktuara. Ne thjeshtë deshtëm, shpresuam dhe pritëm që Bilall Kasami do sillte ndryshimin për të cilin të gjithë ne ishim angazhuar dhe po e prisnim me padurim.

Të zhgënjyer thellësisht, dy vite më vonë vërejmë se gjendja jo vetëm që s’ka ndryshuar, por në sfera të caktuara edhe është përkeqësuar:
• Tetova vazhdon të jetë e mbushur përplotë me mbeturina dhe pothuajse çdo lagje është shndërruar në një mini-deponi.
• Punëtorët e ndërmarrjes komunale vazhdojnë nga 3 deri 4 muaj pa rroga dhe pa pagesa kontributesh, dhe si pasojë edhe pa sigurim shëndetësor për ta ose familjet e tyre.
• Qentë endacakë vazhdojnë të sundojnë qytetin, kurse strategjia e shumë premtuar për menaxhimin e këtij problemit mbeti vetëm një ide e shndërruar në gënjeshtër dhe mashtrim. Problemi me sigurinë publike nuk është zgjidhur. Çdo ditë qytetarë të shumtë të Tetovës raportojnë sulme dhe kafshime nga qentë endacakë.
• Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave por edhe punësimet nëpër shkolla vazhdojnë të shkojnë në vija partiake e familjare. Ata që s’i binden kreut të Komunës shkarkohen ose sabotohen në mënyra më të ndryshme, për t’i shtyrë drejtë dështimit, me çka dëmtohen procesi arsimor, fëmijët tanë, e ardhmja e qytetit tonë.
• Edhe në mandatin e Kasamit vazhduan të hapen kazino e bastore të reja edhe në afërsi të shkollave dhe institucioneve, edhe në çdo lagje.
• Vazhdon edhe më tej praktika e ndërtimeve jashtë standardeve, në kundërshtim me planet e zonimit të qytetit. Shtohen nga dy-tre kate shtesë në objekte rezidenciale dhe me shumë të drejtë shfaqen dyshime se këtu marrin hise njerëz të afërt e familjarë të kryetarit dhe administratës së tij.
• U premtuan garazhe në kate, parkingje të reja, zgjidhja e kaosit në trafik por nuk është ndërtuar asnjë garazh, asnjë vendparkim i ri. Kaosi në trafik vazhdon të jetë kokëçarrës për qytetarët dhe sidomos për shërbimet emergjente, siç janë ambulanta, zjarrfikësit por edhe forcat e rendit. Kjo nënkupton që qytetarët vazhdojnë të jenë të rrezikuar çdo ditë në trafik.
• Edhe përkundër premtimeve pompoze për promovim më intenziv të turizmit rural, promovimit të qendrës dimërore Kodra e Diellit, fshatrat e malësisë së Tetovës vazhdojnë të shërbejnë si deponi për inerte dhe mbeturina komunale, ndërkohë që nuk është bërë asgjë në lidhje me promovimin e tyre si pika turistike. Në Kodrën e Diellit u mboll edhe një kryq i cili tenton të mbjellë intolerancë dhe urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare, ndërkohë që kreu i Komunës në vend që të veprojë në përputhje me kompetencat, ingerencat dhe detyrimet – ai vazhdon të bëjë politikë ditore dhe relativizime.
• Edhe përkundër vlerave të shumta kulturore e historike që ka qyteti i Tetovës, nuk është bërë ndonjë promovim domethënës i tyre. Përveç koncerteve partiake që organizohen disa ditë gjatë verës, Komuna e Tetovës nuk ndihmon e as nuk organizon aktivitete kulturore për të rinjtë. Për më tepër, janë penguar dhe organizata të caktuara të kryejnë veprimtarinë e tyre kulturore, artistike, letrare e krijuese, duke mos i lejuar të shfrytëzojnë pronën publike të qytetarëve për aktivitetet e tyre.
• Shtylla kurrizore e ekonomisë – bizneset, ndërmarrjet e vogla e të mesme në qytetin e Tetovës vazhdojnë të jenë nën presion të vazhdueshëm të sherifëve lokalë, vazhdojnë të zhvaten e të plaçkiten nga ana e shefave të inspektorateve të cilëve u janë caktuar norma ditore për të përmbushur, si dhe të autoriteteve që marrin vendime për ta penguar zhvillimin ekonomik të qytetit – dhe me këtë vazhdojnë të inkurajojnë ikjen e trurit dhe largimin e rinisë nga vendi jonë.
• Administrata komunale u pastrua nga militantët e udhëheqësisë së kaluar për t’u mbushur me militantët dhe familjarët e Bilall Kasamit. Praktika e njëjtë e mosparaqitjes në punë vazhdon të jetë evidente, ndërkohë që nuk u zvoglua numri i administratës dhe nuk u bë një sistematizim i të punësuarëve, me çka do përmirësohej shërbimi ndaj qytetarëve.
• Komuna e Tetovës vazhdon të mbetet institucion i punësimit të makinerisë votuese, nepotizmi është në nivel shumë të lartë, kurse shpërfillja e meritokracisë i dekurajon të rinjtë e të rejat që të vazhdojnë karrierën dhe jetën në Tetovë.
• Për më tepër, zyrat e komunës janë shndërruar në qendra të propagandës mediatike dhe shumë të punësuar shërbejnë si “bot” për të kontrolluar dhe manipuluar qëndrimet e publikut në rrjetet sociale dhe mediat elektronike.

Të vish në pushtet duke nxjerrë në pah dhe duke kritikuar sjelljet e pahijshme dhe të gabuara të paraardhësit nuk është ndonjë mëkat, por të vazhdosh të bësh të njëjtën dhe me intensitet akoma më të lartë është e pafalshme dhe haram!

Qytetarët e Tetovës janë njerëz me kulturë dhe vetëdije të lartë qytetare dhe politike. Qytetarët e Tetovës kanë ngritur lart e kanë rrëzuar përtokë shumë politikanë. Qytetarët e Tetovës meritojnë më mirë dhe ata janë të bindur se ky poshtërim që ju bëhet atyre, kjo përbuzje që vjen nga ana e kryetarit të tyre të zgjedhur dhe njerëzve që ai ka vendosur rreth vetes do ndëshkohet siç e do zakoni, dhe do shkruhet në faqet e turpshme të historisë së këtij qyteti që ka qenë shtëpi për shumë burra e gra të çmuar të kombit tonë. Krenaria e tetovarëve nuk ka mundur të përbaltet e të nënshtrohet as nga cari, as nga krali, as nga pashallarët, as nga bejlerët më të mëdhenj të perandorive të fuqishme… nuk do lejojnë tetovarët të tallet askush me ta.