Vullnet Ameti: “ REKA E EPËRME-E VËRTETA JONË KOMBËTARE!”


Historiani i mirënjohur turk Ilber Ortayli, në librin “Ne dhe historia”, thotë: “Njeriu është qenie me vetëdije historike, ai është qenia e vetme që e njeh të kaluarën e tij, që ka kureshtje, që përpiqet të mësojë, që shqetësohet për të ardhmen e tij dhe që bën parashikime për të. Nga ky këndvështrim, nuk mund ta izolojmë njeriun nga dituria dhe vetëdija historike.”

I yshtur nga kjo ide dhe me kureshtjen e përhershme për orientimin se ku po shkojmë dhe çfarë bëjmë për të ardhmen e kombit tonë, u përpoqa që shqiptarëve të Rekës së Epërme, aty ku isha dhe prej nga këtu ku jam, t’u jepja nga vetja gjithçka që posedoja intelektualisht, me qëllimin për të çuar përpara procese dhe agjenda kombëtare.

VËLLEZËRIT DHE MOTRAT nga Reka e Epërme, fatkeqësisht, kurrë nuk kanë qenë prioritet historik në gjeografinë ku kanë jetuar dhe vepruar.

I dëshpëruar nga ky anashkalim, para disa vitesh, bashkë me njerëz të kauzës, e organizuam marshin simbolik nga Vërtoku deri në Egje për Josif Bagerin për të dëshmuar se “nuk jemi të izoluar nga dituria dhe vetëdija historike”, që na mundëson ta krijojmë vizionin e kristaltë për të ardhmen.

Këmbënguljen e madhe për t’i ndriçuar faktet historike, të lëvruara nga Branislav Sinadinovski, e kurorëzuam me botimin e librit “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë së Veriut” përkthyer me mjeshtëri të lartë nga Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Një sfidë e madhe, në vazhdën e aktiviteteve të shumta, ka qenë themelimi dhe ngritja e Institutit të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar “Josif Bageri” në kuadër të Universitetit të Tetovës, kurse një fakt, më pak i njohur, është edhe themelimi i Fondacionit “Josif Bageri”, që i ndihmon studentët në hulumtime shkencore dhe bursa.

Emërtimi i tyre me emrin e rilindësit tragjik të këtyre trevave është simbolikë dhe një ftesë për të punuar për të mirën e përgjithshme nëpërmjet arsimimit dhe dijes, siç bëri Josif Bageri.

Duke u nisur nga thënia se “E SHKRUARA MBETET” Rekës së Epërme iu kushtua një numër i veçantë në revistën “Filologjia” dhe u botua broshura për veçantitë arkitekturore të Rekës së Epërme me angazhimin e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara gjegjësisht nën monitorimin profesional të Prof. Dr. Enis Jakupi dhe Prof. Dr. Kujtim Elezi.

Këto aktivitete të njëpasnjëshme dëshmojnë se si është t’i jepesh me shpirt idealit në kohën kur shumica mbajnë distancë me të kaluarën.

Jam shumë i lumtur dhe i përmbushur moralisht dhe intelektualisht që e kuptova me kohë se Reka e Epërme është një thesar kombëtar, prandaj punuam pareshtur si institucion për ringjalljen e vlerave kombëtare, kulturore dhe historike të kësaj treve.

Dje, më 21 dhjetor 2023, në kuadër të aktivitetit të organizuar nga Universiteti i Tetovës dhe Shoqatës “Reka e Epërme”, me temë “Ringjallja dhe e ardhmja e Rekës së Epërme”, m’u nda mirënjohje nga kryetari i shoqatës z. Ismail Murati me motivacionin:

“Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin në sferën e arsimit dhe për përkrahjen e pareshtur për afirmimin e vlerave historike, etnografike, folklorike dhe gjuhësore të Rekës së Epërme.”
Kjo mirënjohje do të mbetet e shënuar përherë në ditarin e kujtimeve të mia.

Fare në fund, falenderoj themeluesin dhe kryetarin e këshillit mbikqyrës të shoqatës z. Tafa Ameti për angazhimin permanent në nxjerrjen në dritë të vlerave historike dhe kulturore të Rekës së Epërme i cili bëri një retrospektivë të të gjitha aktiviteteve dhe veprimtarisë së tyre.

A fortiori – shqiptarët e Rekës së Epërme do të ngelen përgjithmonë dobësia dhe pengu im i përjetshëm!

. .

Baby Boo