Vullnet Ameti: Historia e Universitetit të Tetovës ma kujton mitin e Prometeut, ky dritësjellës, iu kundërvu autoritetit me vendosmëri stoike


AMARCORD NË ÇDO 17 DHJETOR

Në analet e luftërave të fituara përgjatë historisë, Universiteti i Tetovës, bashkë me pavarësinë e Kosovës, qëndrojnë si fitoret më të mëdha për kombin shqiptar pas mëvetësisë së Shqipërisë.

Në përvjetorin e 29-të të themelimit të Universitetit të Tetovës mendoja se sa rrallë ndodh në longue durée-në e historisë që veprat gjigante të lindin edhe në vende të vogla të botës, në skajet periferike të mendimit dhe të veprimit.

Historia e Universitetit të Tetovës ma kujton mitin e Prometeut. Siç e dimë, ky dritësjellës në botën që pretendohej të mbahej në terr, iu kundërvu autoritetit me vendosmëri stoike.

Ai i përjetoi dhimbjet dhe vuajtjet më të tmerrshme, por nuk u mposht kurrë, sepse e dinte që vetëm me përpjekje mbinjerëzore drita do të triumfonte mbi terrin dhe se ekzistenca njerëzore mund të kishte kuptim dhe të dëshmohej vetëm nëpërmjet lirisë, të vërtetës dhe dijes.

Universiteti i Tetovës, ashtu si Prometeu, e ka paguar çmimin e madh të sakrificave dhe të përpjekjeve të stërmëdha dhe në vazhdimësi është orvatur që në të gjitha fushat, pra në art, kulturë dhe shkencë, t’i përmbushte të gjitha objektivat që ishte i privuar t’i realizonte në të kaluarën e brishtë dhe, deri diku, armiqësore, episode të së cilës janë paraqitur edhe në Monografinë e Universitetit të Tetovës.

17 dhjetori e shënon përvjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës dhe kjo datë kujtohet, më së pari, nëpërmjet ndjesive të pashlyeshme, sepse ndërlidhet me një vatër që në vazhdimësi u dha brezave dije dhe ua krijoi ndjenjën e përgjegjësisë për të përbashkëtën tonë.

I kapluar nga nostalgjia, sot e kujtoj kohën e para 29 viteve kur gjendeshim në rrugë pa dalje, kur kishim defaktorizim të theksuar të kombit shqiptar dhe kur gjenerata të humbura e të pashpresa notonin në trazirat e kohës. Gjithçka dukej si qëndrimi në një tunel ku s’dukej drita në fund të tij.

Ne ecnim nëpër tunel pa e parë dritën dhe pastaj e kuptuam që Drita kishte emër – ne nisëm të rrugëtonim Udhës së Dritës që i printe Rektori historik, emri i të cilit bënte kaq shumë Dritë. Ideja e Tij, për fatin tonë, ishte më e madhe se qenia e Tij, kurse misioni i Tij të ishte më jetëgjatë se vet jeta e Tij.

Sot, në 29 vjetorin e themelimit, e kujtoj të gjithë maratonën personale në Universitetin e Tetovës. I kujtoj sfidat, luftërat, arritjet, orvatjet për ndërkombëtarizim, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, respektimi dhe nderimi i figurave emblematike dhe markante në proceset historike, kulturore, shkencore dhe artistike, kujtoj sukseset dhe idetë që u jetësuan, i kujtoj gjithashtu edhe ato pak nisma që ngelën në tentativë sepse duhej një dorë e zgjatur për të realizuar një qëllim të epërm, për të punuar për përparimin, për një infrastrukturë më të konsoliduar, kujtoj sfidat në avancimin e stafit, sistematizimin e administratës, ndërtimi i konviktit studentor, botimet, projektet, ngritjen e instituteve dhe qendrave e deri në digjitalizim si imperativ i kohës.

Përgjatë viteve e kupton se të jesh kudo është e pamundur, por dëshira e madhe për progres shpesh na ka detyruar për në UBIKUITET, në gjithëprani, një shtytje që nxitet nga qëllimi i epërm për të mirën e përgjithshme.

Ky shkrim i fton në retrospektivë 29-të gjeneratat, të cilat i falënderojmë publikisht që i besuan dhe e jetësuan këtë IDEAL. Kjo FUQI, ky TRU dhe kjo AJKË intelektualësh, të krijuar pikërisht nga Universiteti i Tetovës, dëshmon se koha ka ecur paralelisht me suksesin.

Rrofsh e qofsh Universitet!
Prof. Dr. Vullnet Ameti

Baby Boo