Vulin e quajti ‘akt armiqësor’ ardhjen e një aeroplani britanik në Kosovë, reagon Presidenca


Shefi i Stafit të Presidencës, Blerim Vela, i ka quajtur “maskarenj të regjimit të Serbisë” kryeministren Ana Brnabiq, ministrin e Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq dhe ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin, pasi ky i fundit ardhjen e një aeroplani britanik në Kosovë e quajti “akt armiqësor”.

Vela në një postim në Twitter ka shkruar se Brnabiq, Stefanoviq e Vulin po bëjnë konkurrencë me deklarata për të siguruar një vend në qeverinë e re të Serbisë.
Tutje tha se retorika serbe do të dështojë, sepse Kosova është dhe do të mbetet e pavarur.

“Maskarenjtë e regjimit të Serbisë Brnabiq, Stefanoviq dhe Vulin janë vënë në konkurrencë që të thonë deklaratën më budallaqe vetëm që të vërehen nga Vuçiq dhe të sigurojnë një vend në qeverinë e re. Kosova është dhe do të mbetet e pavarur. Retorika juaj luftarake do të dështojë dhe ju do të tërhiqeni”, ka shkruar ai.
Të premten një aeroplan britanik aterroi në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ardhjen e këtij aeroplani Vulin e komentoi me atë se “dërgimi i armëve për shqiptarët nga ana e Britanisë së Madhe është akt armiqësor”.
Ndërsa KFOR-i njoftoi në Facebook se aeroplani do të kryejë një operacion ndihmës për forcat tokësore ushtarake britanike të dislokuara në kuadër të KFOR-it.

Baby Boo