Vuçiq: Amerika nuk po na kërkon të ndalim fushatën kundër Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Washington ku është takuar me zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trump.

Pas vizitës atje, kreu i shtetit serb ka thënë se SHBA’të nuk janë duke kërkuar që Serbia të ndal fushatën e çnjohjeve për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po kërkojnë ndonjë koncesion nga Serbia si shkëmbim për heqjen taksës nga Prishtina”, ka thënë dje Vuçiq shkruan RTS.

Siç pretendon Vuçiq, SHBA’të aktualisht janë duke kërkuar vetëm që Kosova ta heq taksën 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ai ka thënë se s’ka marrë ndonjë kërkesë në Washington që të bëjë ndonjë lëshim në këmbim të heqjes së taksës nga Prishtina.

“Amerika e thotë, qartë dhe pa dyshim, se gjëja e parë dhe e vetme është që shqiptarët duhet ta bëjnë në këtë moment është heqja e tarifave”, ka thënë Vuçiq pas takimeve në Amerikë.

Megjithatë pavarësisht deklarimeve të Vuçiq, kërkesat nga fuqitë perëndimore që Serbia të ndal fushatën kundër Kosovës kanë qenë të shumta dhe të përsëritshme.

Një gjë të tillë e ka kërkuar emisari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ndërkohë edhe vendet e QUINT-it kanë kërkesë të ngjashme, derisa nga Kosova kërkojnë heqje të taksës.

Çështja e fushatës së Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është aktualizuar pasi që shefi i diplomacisë serbe, Ivica Dacic, sot ka prezantuar një dokument sipas të cilit pretendon se Sierra Leone ka tërhequr njohjen për Kosovën.

Baby Boo