Vritet një punëtor i AKI-së në vendin e tij të punës


Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ka konfirmuar për KALLXO.com se V.I. është personi i dyshuar për vrasjen e cila ndodhi mëngjesin e sotëm në ndërtesën e AKI-së.

“Personi i dyshuar për vrasjen është V.I. Prokurori është në vendin e ngjarjes duke u marrë me rastin”, tha Berisha për KALLXO.com.

Ai tha se i dyshuari është arrestuar.

KALLXO.com ka mësuar se një punëtor sigurimi ka shtënë ndaj një punëtori të shërbimit në këtë ndërtesë duke e lënë të vrarë.

Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) konfirmoi se sot paradite një person është vrarë në ndërtesën e këtij institucioni.

Sipas AKI-së, vrasja nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me punën e këtij institucioni.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, ka thënë AKI në njoftimin për media, raporton Koha.net.

Më herët, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, tha për KALLXO.com se një i plagosur që ka ardhur nga incidenti në AKI, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Ndërsa Ibrahim Berisha, Zëvendës Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e ka konfirmuar këtë vrasje për KALLXO.com.

“Ka ndodhur një vrasje në ndërtesën e AKI-së. Viktima ka vdekur nga plagët. Prokurori tash do të dalë në vend të ngjarjes. Detajet mund t’i japim më vonë”, tha Berisha./Pacensure

Baby Boo