VMRO zhvilloi marshin e dytë protestues në Strumicë


Sot u zhvillua marshi i dytë protestues i VMRO DPMNE-së. Pas Manastirit, opozita vazhdoi protestat në qytetin e Strumicës. Lideri i partisë opozitare, Hristian Mickovski, sikur edhe në Manastir para 20 ditëve, nuk përmendi asgjë lidhur me atë se si do të pozicionohet opozita në referendumin që pritet të mbahet në vjeshtë. Megjithatë, risi në fjalimin e tij para qytetarëve të Strumicës ishte kërkesa që të amnistohen të gjithë të akuzuarit për pushtimin me dhunë të Kuvendit më 27 prill. Ndjekjet politike, sipas liderit opozitar, janë bërë që të frikësohet populli ndërsa të akuzuarit kanë qenë paralajmërim për të gjithë të tjerët.

VMRO DPMNE, vëllezër dhe motra, sot janë pesë deputetë që ngarkohen për diçka që nuk e kanë bërë gjegjësisht ngarkohen për terrorizëm. Asnjëherë mos mendoni se i kam harruar ata vëllezër dhe motrat që tani janë nëpër burgje dhe që janë pjesë e kësaj fushate politike kundër çdo maqedonasi që mendon lirshëm. Për këtë apeloj, nevojitet amnisti për personat e ngjarjeve të 27 prillit, për shkak se patjetër të vazhdojmë përpara. Nuk mund të ecim përpara nëse jetojmë në të kaluarën dhe kjo është ajo për të cilën do të luftojmë – deklaroi Hristian Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Mickoski foli edhe për Marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë. Bëri të ditur se kryeministri Zoran Zaev në intervistat për mediat greke mundohet t’i bindë nacionalistët grekë se marrëveshja është e mirë, ndërsa identiteti është ndjenjë individuale. Sipas Mickoskit, Zaevi është brengosur më shumë për interesat grekë sesa për ato maqedonase. Qeveria ka punuar në lëkundjen e vetëbesimit të maqedonasve.

Duan të hamendeni, të jeni të pavendosur, të jeni të nënshtruar, për shkak se kur do t’ju thonë maqedonas të veriut, të thoni mirë. Nuk është mirë, ka mund të jetë ndryshe, ndonëse mundej vëllezër dhe motra dhe doemos është dashur të jetë më ndryshe – theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski u përqendrua edhe në, siç u shpreh, gjendjen katatrofale ekonomike që pushteti ka dashur ta paraqesë si sukses. Qytetarët qenkan gjithnjë e më të varfër me kuleta boshe, përkundër bindjeve të pushtetit. Lideri i opozitës e lokalizoi dështimin edhe në bujqësinë. Bëri të ditur se qytetarët që e kanë mbështetur LSDM-në në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk kanë votuar për zero rritje të ekonomisë, dygjuhësi dhe shitjen e emrit.

Bojan Stojanovski