VMRO pranon takim për datën e zgjedhjeve – Mickoski dhe Kovaçevski përplasen për BDI-në


VMRO-DPMNE pranon që ekipet e partive politike të ulen në një tryezë për të negociuar datën e zgjedhjeve. Kjo u njoftua sot nga kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, pas ofertës së një dite më parë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski për të diskutuar çështjen në nivel të grupeve të punës dhe jo në një takim liderësh siç kërkohet nga opozita, shkruan Alsat.

Duke iu përgjigjur pyetjes, Mickoski gjithashtu përsëriti akuzat në adresë të Kovaçevskit se ai ishte një frikacak, po i shmanget zgjedhjeve të parakohshme dhe se është partner i vogël në koalicion me BDI-në. Nga ana tjetër, Kovaçevski pyeti nëse ishte opozita ajo që kërkoi takime me zyrtarë të BDI-së.

“A ka kërkuar lideri i VMRO-DPMNE-së dhe anëtarët e udhëheqjes së tij të lartë dhe sa herë në gjashtë muajt e fundit kanë mbajtur takime me liderin dhe zyrtarë të lartë të BDI-së dhe në këto takime, nëse i kanë pasur, për çfarë kanë diskutuar?”, theksoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

“Për shkak se ai bën pyetje, mendoj se e di përgjigjen. Përndryshe, përgjigjja ime është asnjë, asnjë. Unë as nuk kam kërkuar dhe as nuk kam ndërmend të kërkoj takim me personin e përmendur nga Kovaçevski, por publikisht kërkoj takim liderësh”, tha ndër të tjera Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Sot, Kryeministri sqaroi reagimin e djeshëm ndaj pyetjes së parashtruar nga një gazetar “a do ta lërë LSDM-ja vendin në duart e BDI-së, sepse në rast të bojkotit të zgjedhjeve presidenciale, do të jetë e mundur që kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi të jetë kryetar i shtetit, dhe kryeministri teknik do të ishte gjithashtu me propozim të BDI-së.”

Në këtë pikë, Fatmir Bytyqi u largua nga konferenca për shtyp dhe Kovaçevski tha se pyetja ishte “absolutisht jokorrekte”. Ai sqaroi sot se konkluzioni i tij nuk ishte në drejtim të gazetarit, por, siç tha, ata që përhapin tensione në baza etnike, kështu që ai vuri në dukje VMRO-në dhe partinë E Majta. (https://www.genusinnovation.com) Nga ana tjetër, Mickoski kërkoi që Kovaçevski ta shkarkojë Bytyqin.

“Të njëjtat parti politike që sot flasin kundër partive të caktuara politike, të njëjtat parti ishin në pushtet me këto parti për 11 vjet. Partitë e njëjta që tani e bëjnë veten luanë, për 11 vjet ishin si kotele në koalicion me këtë parti politike, pra BDI”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

“Kovaçevski si epror i tij duhet ta shkarkojë atë që sot, veçanërisht pasi ai nuk duhet të kërkojë partnerin më të fuqishëm të koalicionit në qeveri, që është BDI, sepse ky vjen nga LSDM, domethënë vjen nga partia e tij”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Derisa grindjet ndërpartiake vazhdojnë në skenën publike, ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Opozita këmbëngul se zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të parakohshme, ndërsa qeveria përsërit se ato do të jenë brenda afatit të rregullt. Por në rast se zgjedhjet janë të dyfishta, domethënë në të njëjtën datë, atëherë, sipas kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, data e vetme e mundshme për këtë do të ishte 5 maji./ Alsat.mk

Baby Boo