VMRO-ja vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme


VMRO-DPMNE-ja paralajmëron se nuk do të rrijë duarkryq në kohën që pushteti dështon në realizimin e premtimeve që ka dhënë para qytetarëve dhe në menaxhimin me krizat aktuale. Sipas kreut të partisë Hristijan Mickoski, pushteti duhet të vetëdijesohet se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme, shkruan Alsat.

A është e përgjegjshme nëse ne ulemi anash, heshtur i vëzhgojmë punët dhe presim që këta “të mbyten”? Unë nuk mendoj se kjo është e përgjegjshme. Mendoj se tani kur ka vërtetë shumë sfida edhe për shtetin, edhe për qytetarët, duhet VMRO-DPMNE-ja ashtu si disa herë në të kaluarën të tregojë përgjegjësi dhe të sillet me përgjegjësi ndaj shtetit. Prandaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski, në emisionin 360 gradë në Alsat tha se është i gatshëm të ulet dhe bisedojë për shfuqizimin e qeverisë teknike, për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi dhe për pragun zgjedhor. Ai njoftoi se ndërkohë do të propozojë uljen e numrit të deputetëve në Kuvend nga 120 në 90.

Se çfarë do të ndërmarrë opozita në periudhën e ardhshme, u pyet edhe kreu i Besës, Bilall Kasami.

“Zgjedhjet janë të nevojshme sa më shpejt që vullneti i qytetarëve të realizohet. Nëse do të ketë takim liderësh, duhet të ketë konsensus në pjesën e zgjedhjeve të parakohshme por në këtë pjesë duhet të diskutohet. Nëse nuk iniciohet nga partitë e tjera, në bashkëpunim me partitë opozitare do të merremi vesh si do ta zbatojmë këtë.”- pohoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Opozita kishte propozuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në pranverë. Pushteti nuk pranon zgjedhje të parakohshme megjithatë nuk është kundër arritjes së konsensusit për shfuqizimin e qeverisë teknike.

Baby Boo