VMRO-DPMNE kërkon gjendje të re të jashtëzakonshme


VMRO-DPMNE kërkon gjendje të re të jashtëzakonshme nga presidenti Stevo Pendarovski, për shkak të rritjes së numrit të pacientëve dhe vdekjeve nga Kovid-19. Ata janë të gatshëm për bisedime dhe takime, por nuk bëjnë licitim me data për zgjedhje, sepse për ta kjo është rrezik dhe lojë me shëndetin e qytetarëve.

Sekretari i përgjithshëm i partisë, Igor Janushev në konferencën e sotme për shtyp tha se nevojitet të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme, sepse ekziston një krizë shëndetësore, ndërsa mos shpalljen e gjendjes së re të jashtëzakonshme, do të konsiderojnë vendim politik të Pendarovskit nën presionin e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

“Numrat tregojnë se shteti nuk doli nga kriza e koronës, por se po thellohet dhe duhet të ketë një gjendje të re të jashtëzakonshme. Për shkak të neglizhencës së Qeverisë së Zaevit dhe Spasovskit, deri tani kemi 169 të vdekur, 3.538 të infektuar, më shumë se 15 mijë qytetarë i kanë humbur vendet e tyre të punës dhe numri i të infektuarve të rinj ende nuk dihet”, theksoi Janushev.

Ai i bëri thirrje presidentit Pendarovski të del nga, siç tha, presionet e Zaevit.

“Ju nuk keni asnjë detyrim t’i shërbeni Zaevit, por ju keni një detyrim, kushtetues dhe moral, ta mbroni shëndetin e qytetarëve”, tha Janushev.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së shtoi se si parti ata janë të hapur për konsensus dhe bisedime, pavarësisht se në çfarë formati mund të jenë takimet, por që për ta më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve.

“Licitimi me data në këtë moment kur kemi një rritje të madhe të rasteve të reja dhe të vdekjeve në të vërtetë është licitim me shëndetin e njeriut. Ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha Janushev, duke shtuar për të dalë me një datë, duhet të ketë normalizim të situatës.

Baby Boo