Vjeshtë e vonuar, mungesa e shiut rrezikon bujqësinë


Mungesa e të reshurave vjeshtore në rajonin e Kumanovës dhe Likovës po rrezikon të mbjellat vjeshtore. Duke patur parasysh se ky rajon merret kryesisht me prodhimtari bujqësore dhe blegtorale, mungesa e të reshurave vjeshtore po e pamundëson lëvrimin e tokës për mbjelljen e kulturave vjeshtore, gjë e cila rrezikon sigurimin e ushqimit si për njerëzit po edhe për blegtorinë. Xhabir Ramadani, këshilltar në Agjencinë për nxitje të zhvillimit të bujqësisë në Kumanovë, ka thënë për gazetën KOHA se, tani edhe po të ketë të reshura të shiut, do të duhen disa ditë deri sa lagështia ta përfshijë tërë shtresën aktive punuese të tokës.

“Ka mbetur edhe pak kohë për fermerët të shpresojnë për mbjelljet e kësaj vjeshte, sepse jemi në fazën e fundit, gjegjësisht në prag të dimrit që do të thotë, edhe po të ketë shira, do të duhen disa ditë deri sa lagështia ta përfshijë tërë shtresën aktive punuese të tokës në mënyrë që të munden të lëvrohen, pastaj të trinohen dhe mbillen. Nëse nuk arrihet të realizohen të mbjellat, do të paraqiten probleme serioze për fermerët duke iu nënshtruar shpenzimeve shtesë për furnizim me ushqim për kafshët”, thotë Ramadani.

Ai shprehet se thatësia dhe mungesa e shiut do të shkaktojë probleme edhe në blegtori, për shkak se do të ulen dukshëm edhe hapësirat me bar për kullotjen e bagëtisë, si dhe sasitë e pritshme të jonxhës. “Edhe pse nuk mund të flitet për dëmet përfundimtare në uljen e prodhimtarisë bujqësore, vlerësimet e para i kemi për ulje  të madhe prej së paku 20-30  për qind të mjaft kulturave bujqësore”, thotë Ramadani. (koha.mk)

Baby Boo