Vjedhja e klientëve nga bankat, ja çka ka ndodhur në BQK

Numri i ankesave të qytetarëve për Bankat Komerciale në vend ka shënuar rritje.

Për dy muaj e gjysmë, 104 qytetarë kanë raportuar në Bankën Qendrore të Kosovës, raporton KTV.

Prej tyre, 28 janë zgjidhur në favor të klientëve, 64 në favor të institucioneve financiare, ndërsa 12 ankesa janë ende duke u shqyrtuar.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, ka treguar se pjesa më e madhe janë ankuar për shtyrje të afatit të kredisë dhe kategorizim të tyre.

Por një përgjigje konkrete nuk është dhënë për gjobat që u janë shqiptuar bankave.

Sipas njohësit të ekonomisë Naim Gashi, BQK-ja më shumë i ngjan një shoqate bankare sesa një institucioni për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.

Ai ka kërkuar që me ndryshimin e Ligjit për Bankat të futet edhe pjesa e publikimit të emrave të bankave që i dëmtojnë konsumatorët e tyre.

Që nga janari e deri më 13 korrik të këtij viti, në tërësi kanë qenë 243 ankesa.

Edhe në këtë rast, pjesa më e madhe, 149, janë vendosur në dobi të bankave, ndërsa 73 në favor të qytetarëve dhe 21 ende janë në proces.

E ky numër veçanërisht është rritur pas publikimit të ankesave nga vetë guvernatori i bankës, Fehmi Mehmeti.