(VIDEO) KUVEND, HESHTJE PËR KOMPLETIMIN E KSHZ-SË, AFATET PO KALOJNË


Edhe dy ditë pas skadimit të afatit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, partitë më të mëdha politike në vend vazhdojnë të heshtin, ndërsa në Kuvend nuk ka as edhe një sinjal për zgjidhjen e këtij ngërçi. Të premten ishte dita e fundit deri kur komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhej të miratonte emrat e anëtarëve të rinj të KSHZ-së, pas një marrëveshje paraprake mes partive më të mëdha që do të përfaqësohen në organin më të lartë për organizimin e zgjedhjeve. Por, as në ditën e fundit të afatit nuk u thir seanca, ndërsa as kryetari i Kuvendit nuk kishte përgjigje se kur do të thirret, duke hedhur topin kështu tek kryetari i Komisionit Ilija Dimovski. Por edhe sot në Kuvend dhe tek grupet parlamentare të dy partive më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM, mbizotëronte heshtje lidhur me këtë temë. Kryetari i Komisionit, Ilija Dimovski ishte i pakapshëm në telefon ndërsa nuk u përgjigj as pyetjes se kur planifikon të thërret mbledhjen. Për të njëjtën temë kontaktuam edhe koordinatorin e grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, por edhe as ky i fundit nuk kishte përgjigje nëse kanë arritur marrëveshje me partitë e tjera për anëtarët e KSHZ-së.

Gjithçka mbetet që të qartësohet gjqatë ditëve në vazhdim, ndërsa seanca plenare për votimin e komisionerëve të rinj pritet të caktohet për më 17 korrik. Por kjo datë mund të ndryshojë nëse komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emrime kryen punën e vetë në afat më të shpejtë. Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor bëhet pas ndryshimeve të fundit të kodit zgjedhor që rezultoi nga marrëveshja e partive më të mëdha parlamentare. Partitë u dakorduan që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm KSHZ të ketë përbërje të përkohehshme me përfaqësues vetëm nga partitë politike. Sipas kësaj marrëveshje, opozita maqedonase do të ketë kryetarin e KSHZ-së, ndërsa shumica parlamentare edhe shumicën e anëtarëve në komision. Më pas subjektet do të ulen përsëri për të dakorduar kodin e ri zgjedhor dhe modelin e ri të funksionimit të KSHZ-së. Propozimet e para janë që KSHZ të përbëhet vetëm nga ekspertë të pavarur dhe jo nga përfaqësues partiak siç ka qenë deri më tani.

 

Baby Boo