Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë, opozita fajëson pushtetin


Opozita kërkon përgjegjësi nga qeveria për veton bullgare, për shkak të së cilës u pamundësua miratimi i kornizës negociuese për Shkupin. VMRO DPMNE-ja vlerëson se qeveria me gënjeshtra i rriti pritjet e qytetarëve se do t’i fillojmë negociatat për anëtarësim, andaj tani dëshpërimi është shumë i madh.

Në vitin 2017 na bindën se Marrëveshja me Bullgarinë është frytdhënëse, i hap dyert për BE dhe se më nuk kemi asnjë problem me asnjë fqinj. Kjo do të thotë se vetoja e sotme vërteton se Nikolla Dimitrov dhe Zoran Zaev kanë gënjyer. Vetoja është vërtetim se marrëveshja nuk i ka zgjidhur problemet, por ka krijuar të reja. Prandaj si grup parlamentar javën e ardhshme do të bëjmë kërkesë për interpelancë ndaj zv/Kryeministrit, Dimitrov”-tha Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Nëse do të kishim pasur një qëndrim të unifikuar kombëtar edhe përgjegjësinë do ta ndanim bashkë, thekson koalicioni opozitar ASH-AAA. Ata kanë menduar që vetë do ta zgjidhin këtë dhe tani dështimi bie krejtësisht mbi to. Më se 1 vjet kishim mesazhe nga Bullgaria se mund të ndodhte një gjë e tillë, brenda 1 viti jam i bindur se të gjitha subjektet politike do të kishin dhënë kontribute diplomatike, që të bëjmë presion në BE ndaj Bullgarisë dhe të gjendet një zgjidhje e përbashkët”-pohoi Skender Rexhepi, ASH- AAA.

Por partia shqiptare në pushtet, BDI ende beson se mund të arrihet zgjidhje deri në dhjetor. Para muajit dhjetor do të ketë edhe mbledhje të Këshillit që mundëson edhe vazhdimin intensiv të bisedimeve për të gjetur zgjidhje me qëllim organizimin e konferencës së parë ndër-qeveritare në dhjetor”-thonë nga BDI.

LSDM sot nuk na dha qëndrim, por në paraqitjen e fundit Dimitrov tha se Qeveria nuk është përgjegjëse për veton bullgare, por se e njëjta e vë në pikëpyetje seriozitetin dhe kredibilitetin e BE-së. Dimitrov madje tha se qëndrimi i vendit rreth identitetit nuk do të ndryshojë as për 70 vitet e ardhshme, prandaj derisa BE-ja të gjejë një zgjidhje vendi duhet të vazhdojë me realizimin e reformave.

Ne nuk mund të jemi përgjegjës për një shtet tjetër. Ne mund të jemi përgjegjës për atë që ne e bëjmë, qoftë si shtet, qoftë si Qeveri, si opinion apo popull. Për atë që po e bën Bullgaria, përgjegjëse është Bullgaria”-pohoi Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Baby Boo