Vetëvendosje pranon të përfshihet në bisedimet me Serbinë, ky është kushti i tyre


Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë.Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit.

Por, kjo qasje e Qeverisë vazhdon të mos pranohet nga opozita, pjesë e së cilës është edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Xhelal Sveçla nga Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se presidentit Thaçi nuk i takon të udhëheqë këtë proces.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje tanimë është e qartë se kush nuk duhet ta udhëheqë dialogun pasi që ne tani kemi një përvojë të keqe me këta persona në aspektin e negociatave me Serbinë. Hashim Thaçi është personi më joadekuat për ta udhëhequr këtë proces. Ne kemi përvoja të këqija edhe me ish-kryenegociatoren Edita Tahiri në këtë proces të dialogut. Po ashtu, edhe shumë prej liderëve aktualë të institucioneve nuk janë personat më kredibilë për të udhëhequr këtë proces kaq të rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë”, tha Sveçla.

Deputeti Sveçla thekson se para se të fillojë një proces i ri i dialogut me Serbinë duhet bërë një dialog të brendshëm mes forcave politike të Kosovës, në mënyrë që të përcaktohet një kornizë e qartë e këtij procesi.

Po ashtu, sipas tij, do të ishte me rëndësi të bëhet edhe dialogu me komunitetet në Kosovë, pasi që, siç thotë ai, është një nga kërkesat kryesore edhe të partnerëve ndërkombëtarë që të garantohet një e ardhme e sigurt për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, thotë Sveçla, do të ishte e gatshme të hynte në këto negociata nëse do të plotësoheshin kushtet.

“Ne do të futemi në një proces po qe se fillojmë me dialog të brendshëm, t’i përcaktojmë qartazk kornizat e dialogut me Serbinë. Duke qenë se jemi Republikë Parlamentare, parlamenti është organi më i lartë, i cili duhet të vendosë për këtë çështje. Në këto raste ne do të ishim të gatshëm të bëhemi pjesë e këtyre bisedimeve, gjithmonë duke pasur parasysh interesin parësor të vendit”, thotë Sveçla.

Baby Boo