Vetëvendosja i uroi shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për rezultatet zgjedhore


Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (VV) i uroi shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut për epilogun në zgjedhjet e djeshme të jashtëzakonshme parlamentare, duke vlerësuar se numri “prej 32 deri 34 deputetë” është rezultati më i mirë që e kanë arritur shqiptarët që nga pavarësimi i shtetit.
Partia e kryesuar nga Albin Kurti, përmes kumtesës drejtuar opinionit, që sot pasdite e transmetuan mediumet në Prishtinë, i shkruan vetes merita për “pjesëmarrjen e madhe të shqiptarëve” në këto zgjedhje dhe për numrin më të madh të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi i saj.

“Përderisa ende i presim rezultatet përfundimtare, lajmi i mirë është se sipas rezultateve të cilat i transmeton Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, në Kuvendin e Maqedonisë do të ulen mes 32 dhe 34 deputetë shqiptarë. Ky është një rekord i llojit të vet, sepse numri më i madh paraprak i deputetëve shqiptarë ishte 29. Ndikoi, mes tjerash, edhe angazhimi i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e nxiti pjesëmarrjen e madhe të shqiptarëve në këto zgjedhje”, thuhet në kumtesën e VV-së.
Partia e cila deri para një muaji e gjysmë ishte në pushtet në Kosovë, e përsëriti qëllimin, të cilin fillimisht e kumtoi në qershor të këtij viti, se së shpejti do të themelojë qendër të vet, përkatësisht do të legjitimohet si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut.

“VV së shpejti do të hapë qendër të vet në Maqedoni të Veriut. SË bashku do të angazhohemi dhe do të organizohemi, të hapur për miqësi me çdo mik të sinqertë, me qëllim që proceset pozitive de progresive të përshpejtohen, ndërkaq ato negativet, diskriminuese dhe të prapambetura të ndalojnë. Shqiptarët do të jenë element vendimtar për fituesin e zgjedhjeve, por edhe për formimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut”, porositi partia më e madhe opozitare në Kosovë, në krye të së cilës është ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Baby Boo