VETËM NJË SHQIPTAR. Avokati i shtetit pa përfaqësim adekuat


Nga 31 avokatë të shtetit sa janë gjithsej në Maqedoni, vetëm një është shqiptar në Komunën e Gostivarit. Në Shkup janë dhjetë avokatë shtetëror, por asnjë shqiptar

 

 

Shkup, 28 qershor – Që nga zgjedhja e Naser Ajdari si gjykatës kushtetues nga 5 marsi këtij viti, , injorimi, neglizhenca dhe mobingu klasik nga ana e udhëheqësisë njëqind përqind maqedonase të këtij institucioni ka vazhduar njëjtë siç kishte ndodhur para se te emërohej avokat shtetëror shqiptar, shkruan gazeta KOHA. Procesi i filluar i avancimeve graduale stagnoi dhe çdo ditë nëpunësit shqiptar degradohen, pengohen në punë me imtësira banale dhe ushtrohet mbi ta mobing i llojit më të ulët sikur të ishin bonjak pa një tutor apo prind”, ky është reagimi  në formë të shkruar i nëpunësve shqiptar të Avokatit të shtetit drejtuar mediave.

Siç shtojnë ata, këto muajt e fundit ekziston vakum kohor për zgjedhjen e avokatit të ri shtetëror të Republikës së Maqedonisë dhe avokat shtetëror të njësisë rajonale të Shkupit për të cilët pozicione plotësojnë kushtet dhe kriteret e nevojshme edhe ca nëpunës shqiptar te avokaturës shtetërore.

“I gjithë ky mobing ushtrohet në stilin ‘Вашите за вас, Нашите за нас’ edhe përkundrejt gjithë sjelljes, punës edhe raporteve korrekte qe mundohen ti kenë nëpunësit shqiptar ne avokaturën shtetërore ndaj të gjithë nëpunësve në këtë institucion duke pasur parasysh  peshën, rëndësinë dhe rolin e këtij institucioni në shtet”, theksojnë nëpunësit shqiptar. Siç informojnë ata detyrën e avokatit shtetëror të Republikës së Maqedonisë deri më datë 5 mars 2018 e ushtronte Naser Ajdari nga Shkupi i cili ishte emëruar në këtë post nga nëntori i vitit 2013.
“Duke parë gjendjen mizore të nëpunësve shqiptar në këtë institucion ai kishte ndërmarrë disa iniciativa që gradualisht nëpunësit shqiptar të arrinin avancimin e papërfillur nga ish avokatët maqedonas. Në këtë institucion Naser Ajdari arriti të shohë se ka nëpunës shqiptar me përvojë punë 12 vjeçare në të njëjtën pozitë si bashkëpunëtor më i ri, jurist me studime postdiplomike të mbaruara, me provim të jurisprudencës dhe me përvojë pune mbi 8 vite në të njëjtën pozitë si bashkëpunëtor më i ri, nëpunës me arsim të kryer të lartë dhe të punësuar si referent më i ri, me përvojë pune po ashtu disa vjeçare që përgjatë viteve kishin qenë të neglizhuar, të injoruar dhe të lënë anash tërësisht nga udhëheqësit e sektorëve dhe nga avokatët e shtetit të RM-së”, thuhet në reagimin publik të nëpunësve shqiptar të Avokatit të shtetit.
Njëri nga ta që deshi të mbetet anonim tha për gazetën KOHA se nga 31 avokat të shtetit sa janë gjithsej në Maqedoni vetëm një është shqiptar edhe në komunën e Gostivarit.”Në Tetovë dhe në qytetet tjera me shumicë shqiptare nuk ka avokat shtetëror shqiptar. Vetëm në Shkup i kemi dhjetë avokat shtetëror asnjë shqiptar. Avokatura shtetërore e Republikës së Maqedonisë numëron gjithsej 107 të punësuar ku prej tyre janë 82 maqedonas, 21 shqiptar, 2 boshnjak, 2 serb dhe 1 turk, ku te gjithë 21 shqiptarët gëzojnë titullin referent i ri dhe bashkëpunëtor i ri edhe përskaj përvojës mbi 10 vjeçare në këtë institucion. Duam të alarmojmë opinion se momentalisht gjendja është e mjerueshme dhe ti bëjmë apel Qeverisë sidomos partive shqiptare në pushtet që të intervenojnë menjëherë duke zgjedhur drejtor të ri, dhe të avancoje shqiptarët këtu sepse e kane dhe obligim ligjor më Marrëveshje  e Ohrit ”, thonë kështu nëpunësit shqiptar në këtë institucion. Por sa i përket mobingut ushtruesi i detyrës së avokatit të shtetit Sasha Jançevski për gazetën KOHA përjashton çdo mundësi që u bëhet  nëpunësve shqiptar.

“Nuk di ndonjë rast konkret të sjelljeve jo të mira të maqedonasve ndaj shqiptarëve. Deri tek unë nuk është shprehur ndonjë pakënaqësi. Unë për vetë edhe shqip ju flas sepse e di nga pak dhe nuk kam vërejtur se ndonjëri prej tyre është i pakënaqur me neve”, thotë Sasha Jançevski.

Nga ana tjetër, ai insistoi të di se prej kur nëpunësit shqiptar janë ankuar dhe se kush janë prej tyre. Sa i përket avancimeve Sasha Jançevski  tha se janë të vërteta ato çka ane thënë nëpunësit shqiptar se ka vetë referent të ri dhe bashkëpunëtor të ri. “Unë më herët kam qenë zëvendës i Naser Ajdarit dhe është ë vërtetë se ai ka bërë kërkesa për avancim dhe nuk janë përfillur. Me përgjegjësi e them se edhe unë që tani ushtroj këtë post do të bëjë të njëjtën do të insistoj që të avancohen disa nëpunës që mendoj se i plotësojë kushtet ligjore”, tha Sasha Janvevski. (koha.mk)

Baby Boo