Vetë deklarohen shqiptarë, punësohen në Qeveri!


Edhe Qeveria punëson maqedonas të vetëshpallur si shqiptarë. Falë softuerit së tyre të quajtur “Balancer”, vendet e punës të rezervuara për shqiptarë, edhe në institucionin ekzekutiv, Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, u mbushën me persona me emra maqedonasish. Në konkursin 478/2019, vendimet e punësimit u firmosën për Elena Rajkovçevska, Sanja Petkova, Sllavica Toshiq dhe Aleksandra Antevska, të cilat u deklaruan rrejshëm se janë shqiptare. Ndërsa, si shumë të tjerë edhe Dhurata Azizi mbeti pa punë.

“Të ndjehesh shqiptare është dinjitet të cilin mua ma mohuan. Është i pashpresë edhe konkurrimi kur paraprakisht dihet emri i asaj që do ta zë vendin e punës, fal nepotizmit, fal librezave partiake dhe fal ndërrimit të etnisë që i bëjnë brenda natës. Mua dera e vetme më mbetet Ambasada e Gjermanisë”, u shpreh Dhurata Azizi, aplikante.

Nga Agjencia e Administratës thonë që nëse tek ta do të zbatohej Ligji për përdorimin e gjuhëve, këto keqpërdorime do të ishin shmangur.
Zëvendësdrejtori Agron Seferi zotohet se do të angazhohen që të pengojnë vetë-deklarimin e rrejshëm të etnisë me ndryshim të Ligjit për nëpunës administrativ.

Kandidati ka të drejtë që intervistën ta zhvillojë në gjuhën shqipe nëse e kërkon, edhe anëtarët shqiptarë të komisionit mund ta përdorin gjuhën e tyre gjatë intervistës. Edhe sikur të ndëshkohet me zero pikë në intervistë për mos njohje të gjuhës shqipe nga Komisioni, ai ka arritur minimumin ligjor për të fituar atë vend të punës. Por, mungon mekanizmi ligjor – deklaroi Agron Seferi, Zëvendësdrejtor i Agjencisë së Administratës.

Nga Ministria e Administratës thanë se për ta eliminuar këtë fenomen, kërkojnë që përkatësia etnike të vihet në certifikatën e nënshtetësisë. Pa saktësuar kur mund të bëhet kjo, Sekretari Shtetëror Adem Avziu thotë se tjetër bazë ligjore nuk kanë. Deri atëherë, shtetasit me etni maqedonase nuk mund t’i pengojë asgjë për t’u vetë-deklaruar shqiptarë dhe për të zënë 20% e vendeve të punës të rezervuar për shqiptarët.

Në Librat Amë që kur lind një person deklarohet etniteti. Mirëpo, ekziston një mangësi, e cila keqpërdoret tash. Pasi që kur aplikon në Agjencinë për Administratë, kur hap profilin si kandidat duhet patjetër të deponosh edhe certifikatën e nënshtetësisë. Në nënshtetësi mungon grafa e përcaktimit të etniteti. Unë do të angazhohem që në bashkëpunim me Drejtorinë e Librave Amë mundësisht të inkorporojmë edhe grafen, e cila do të përcaktoj në nënshtetësi etnitetin e saktë – tha Adem Avziu, Sekretar shtetëror në Ministrinë e Administratës.

Gjatë konfigurimit të një profili për të aplikuar në Agjencinë e Administratës, kandidatët të etnitetit maqedonas zgjedhin opsionin “shqiptar” për vendet e punës ku kërkohen të punësohen shqiptarët. Softueri “Ballancer” i nxjerr ata në krye të listës, duke i bashkangjitur pikët e testit “on-line” dhe në fazën e tretë të intervistimit, nuk ka bazë ligjore t’i anashkaluar këta aplikues. Raste të tilla keqpërdorimi janë zbuluar edhe në shumë institucionet tjera shtetërore, por autoritetet nuk tregojnë shifrat se sa maqedonas kanë arritur të rrisin përfaqësimin e zhdrejtë duke u punësuar në emër të shqiptarëve.

Baby Boo