Veseli nga Tirana: Askush nuk mund ta ndajë Kosovën


Kryeparlamentari Kadri Veseli i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Tiranë ku po takojnë krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës.

Nga atje, ata kanë ftuar gjithë liderët shqiptar që të bashkohen në çështjen e dialogut me Serbinë.

Takimi i parë ishte me ish kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha, ku pas takimit, Veseli tha se askush nuk mund ta ndajë Kosovën.

Ai njoftoi Berishën se Fatmir Limaj është propozuar nga institucionet e Kosovës si mandatar i ekipit të Kosovës për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ndërsa, Berisha tha se dialogu dhe marrëveshja janë të një rëndësie të madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në tërësi.

Sipas tij, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës nuk mundet të jenë në asnjë rrethanë çështje diskutimi.

Edhe Berisha, ka ftuar partitë politike në Kosovë që të jenë unike për të krijuar një delegacion të përbashkët për dialogun me Serbinë.

Të njëjtin mendim ndau edhe zëvendëskryeministri Limaj, i cili tha se duhet të ndërtohet grupi i unitetit, pasi që sipas tij, vetëm të bashkuar Kosova do të ecë përpara.

Ai ka falënderuar ish kryeministrin shqiptar për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë Kosovës./Pacensure